Pejë, nuk mbahet seanca për trafikim në furrë, piceri dhe në fshatra të Klinës

Në mungese të të akuzuarve dhe të dëmtuarës, Gjykata e Pejës ka dështuar ta vazhdojë procesin gjyqësor kundër 5 të akuzuarve për trafikim me njerëz.

Rasti për të cilin po akuzohen pesë persona kishte ndodhur para shtatë viteve.

Në seancën e sotme, të pranishëm ishte vetëm i akuzuari Qëndrim Asaj, ndërsa mungonin të akuzuarit tjerë Dritunije Hoti, Kristë Tomaj, Nasuf Bardhi dhe Ardian Marku.

Të akuzuarit për këto vepra penale ishin gjykuar dhe shpallur fajtorë nga Gjykata e Pejës, mirëpo Gjykata e Apelit kishte kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktvendimit të Gjykatës se Apelit të siguruar nga KALLXO.COM, kjo çështje është kthyer në rivendosje për shkak të dy shkeljeve esenciale te procedurës penale. Apeli kishte gjetur se shqyrtimi është mbajtur pa prezencën e mbrojtësit të të akuzuarit Qëndrim Asaj edhe pse mbrojtja ka qenë e obligueshme. Shkelja tjetër, sipas Apelit, ishte bërë kur të akuzuarit Asaj i është shqiptuar dënim nën maksimumin e paraparë me ligj.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 2 dhjetor.

Sipas aktakuzës Qëndrim Asaj dhe Nasuf Bardhi gjatë muajve gusht-shtator 2012 në Banjë të Istogut, në bashkëveprim kanë trafikuar viktimën A.S. Aktakuza thotë se i akuzuari Qëndrim Asaj paraprakisht e kishte strehuar viktimën në katin e dyte te furrës se tij dhe kishte kryer për tri ditë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

Më pas, sipas aktakuzës, ai e kishte thirrur të akuzuarin Nasuf Bardhi i cili e kishte marrë viktimën dhe për këtë shërbim i kishte dhënë Asajt 50 euro. Bardhi e kishte vendosur viktimën në një piceri në Klinë ku gjithashtu kishte kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

Aktakuza thotë gjithashtu se i akuzuari Nasuf Bardhi me të akuzuarën Dritunije Hoti më 21.10.2012 në fshatin Zajm të Klinës, kishin trafikuar viktimën A.S. duke e dërguar në lokalin “Meda” në fshatin. E akuzuara i kishte gjetur strehim viktimës në banesën e saj në Klinë, duke i gjetur klientë të cilët, sipas aktakuzës, kishin paguar 100-150 euro për marrëdhënie seksuale me të.

Prokuroria po ashtu ngarkon për vepër penale te trafikimit me njerëz Kristë Tomajn dhe Ardian Markun, dyshohen se në fillim të shtatorit të vitit 2012 2012 në fshatin Videjë të Klinës kishin trafikuar viktimën e njëjtë.

Sipas aktakuzës, Tomaj dyshohet se e kishte marrë viktimën nga lokali i të akuzuarës Dritunije Koti dhe e kishte dërguar te shtëpia e të akuzuarit Ardian Marku ku e kishin mbajtur një javë dhe kishin kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj ndërsa kishin siguruar edhe klientë të tjerë të cilët për shërbime seksuale pa dëshirën e viktimës kishin paguar 100-150 euro.

Kallxo.com ka raportuar edhe me herët për këtë rast.

I dyshuari arrestohet, Gjykata tregon si ndodhi dhunimi në katin e dytë të furrës