Pejë, gjykimi për vrasjen ku i akuzuari dyshohet se e vret dhe e hedh nga ura trupin e të ndjerit

Kamber Buleshkaj, ka dalë sot para Gjykatës në Pejë, për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë për vrasjen e Arben Dekajt.

Buleshkaj akuzohet se me 12 shtator të vitit 2018 me 8 predha e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Arben Dekaj, e pastaj te Lumi i Shushicës e kishte hedhur trupin e tij nga ura në lum.

Seanca e caktuar për ditën e sotme dështoi të mbahet në mungesë të anëtarit të trupit gjykues Ahmet Rexhaj.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Lumturije Muhaxheri, Rexhaj nuk ishte prezent sot për arsye të izolimit lidhur me COVID-19.

Në këto rrethana seanca e sotme është shtyrë për datën 13 prill.

Buleshkaj e kishte mohuar fajësinë për këtë vepër penale.

Prokuroria e Pejës pretendon se në shtator të vitit 2018 në Istog, i ndjeri me veturën e tij kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Kamber Buleshkaj, duke kërkuar nga ky i fundit një armë të llojit kallashnikov, që këtë armë të ndjerit ja kishte kërkuar Abedin Hysenaj, që të festonin në një aheng familjar.

Sipas dosjes se Prokurorisë, pas një mosmarrëveshje i akuzuari Buleshkaj privon nga jeta Arben Dekajn, e pastaj te Lumi i Shushicës e hedh trupin e tij nga ura në lum.