Pejë, gjykimi për korrupsion i dy zyrtarëve të KEDS-it

Tre dëshmitarë dolën sot para gjykatës për të dhënë versionin e tyre për ngjarjen e datës 3 dhjetor të vitit 2019, ngjarje kjo për të cilën po akuzohen dy zyrtar të KEDS-it dhe një avokat.

Prokuroria akuzon dy zyrtarë të KEDS-it, Bekim Thaçin dhe Gëzim Gashin se kanë marrë 200 euro ryshfet nga i dëmtuari Feim Uka, pasi atij i kanë bërë presion me arsyen se është duke shpenzuar shumë energji elektrike.

Ndërsa, Murat Krasniqi akuzohet se duke qenë avokat i të pandehurit Thaçi, kishte tentuar të ndikonte të i dëmtuari Uka, që të ndryshonte deklaratën e tij që kishte dhënë në polici lidhur me rastin.

Dëshmitari Flamur Kelmendi, i cili në kohën kur ka ndodhur rasti ka qenë punëtor i të dëmtuarit, tha sot para trupit gjykues se ditën kritike ka qenë prezent në biznesin e të dëmtuarit, kur ka ardhur i akuzuari Murat Krasniqi.

“Diku rreth mesditës ka ardhur një person brenda në vila në oborr, unë mendova se mos është klient, kur ka hyrë brenda ky person më kërkoi që të largohem unë dhe punëtorët e tjerë sepse dëshironte më fol diçka me shefin”, tha ai.

Ai tha se ishte informuar pastaj nga i dëmtuari se avokati i kishte ofruar atij 1000 euro për të ndryshuar një deklaratë.

“Kur ka shkuar ky person, Feimi ishte nervoz, më vonë me tha që ai person ia ka ofru 1000 euro për një deklaratë”, u deklarua Kelmendi.

Edhe një punëtor tjetër i të dëmtuarit Feim Uka, dëshmitari Argjend Avdyli deklaroi për ditën kur avokati Krasniqi ishte paraqitur në biznesin e të dëmtuarit.

“Na ka thënë të dalim jashtë nga recepsioni për t’i lëndë vetëm me Feimin. Unë nga jashtë e kam parë që Feimi u bo nervoz. Unë s’kam dëgju çka kanë biseduar sepse recepsioni është i mbyllur kurse Feimi nuk më ka tregu pse ishte bërë nervoz”, deklaroi dëshmitari Argjend Avdyli.

Sot para trupit gjykues u dëgjua edhe Arton Avdyli, punëtor në biznesin e të dëmtuarit Feim Uka.

Ai deklaroi që atë ditë kishte ardhur avokati Murat Krasniqi te biznesi, duke kërkuar që të bisedojë vetëm më të dëmtuarin Ukaj.

Avdyli shtoi se pastaj kishte dëgjuar që Krasniqi kishte dashur ta korruptoj të dëmtuarin Uka.

Seanca e radhës mbahet me 1 dhe 2 prill.

Sipas aktakuzës zyrtarët e KEDS-it, Bekim Thaçi dhe Gëzim Gashi akuzohen se më 2 dhjetor 2019, me marrëveshje paraprake mes tyre, kanë kërkuar dhe pranuar për vete përfitim, në mënyrë që të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit shkojnë në shtëpinë e të dëmtuarit Feim Uka, duke i bërë presion me arsyetimin se është duke zhvilluar biznes të paligjshëm për shkak të shumës së lartë të energjisë elektrike dhe për të mos lajmëruar në KEDS, kërkojnë nga ai shumën prej 200 euro.

Aktakuza sqaron se i dëmtuari e lajmëron policinë dhe pas takimit me të pandehurit, secilit ia jep shumën prej 100 euro dhe pasi të pandehurit i fusin të hollat nën karrigen e shoferit, arrestohen nga policia.

Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit Bekim Thaçi, avokati Murat Krasniqi, i cili e sipas aktakuzës, e kishte kanosur dhe i kishte ofruar shumën prej 1000 euro të dëmtuarit Uka, me qëllim që ta ndryshonte deklaratën e tij të dhënë në polici.