Pejë - Gjykimi për grabitjen e vitit 2018

Dëshmitarë të shumtë dolën sot para gjykatës së Pejës për të dhënë versionin e tyre për grabitjen që kishte ndodhur në Pejë në korrik të vitit 2018, për të cilën po akuzohet Bajram Avdimetaj.

Sadik Berisha hetues i rastit, tha se fillimisht i akuzuari është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa pas informacionit nga policët që kanë rastisur në vendin e ngjarjes, është krijuar dyshimi se Bajram Avdimetaj është kryes i veprës penale.

Sipas tij pasi ishin shikuar videoincizimet nga policët që kanë qenë në vendin e ngjarjes, është krijuar dyshimi se kryes i veprës është tani i akuzuari Bujar Avdimetaj.

Hetuesi Berisha deklaroi se pasi kishin shkuar në shtëpinë e të akuzuarit, prezent kishin qenë vetëm babai dhe vëllai i të akuzuarit, ku këtij të fundit ia kishte dhënë numrin e telefonit.

Dëshmitari shtoi se në të njëjtën ditë e kishte telefonuar i akuzuari në telefon përmes aplikacionit viber, duke e njoftuar se ai gjendet jashtë shtetit.

“Me ka thënë a ka lehtësira nëse unë lajmërohem, unë i kam thënë asgjë s’mundem me të thënë sepse nuk është në kompetencë time”, deklaroi tutje dëshmitari.

Dëshmitari tha se për këtë bisedë të zhvilluar me të akuzuarin ka përpiluar shënim zyrtar i cili gjendet në shkresa të lëndës, shënim ky që mban datën, kohën e bisedës, numrin e telefonit se të akuzuarit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares së trupi gjykues, gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj, hetuesi tha se ai vetëm ka përpiluar shënimin zyrtar lidhur me bisedën, ndërsa nuk kishte ruajtur ndonjë provë tjetër që e dëshmon thirrjen.

“Çka po don me shumë se njeri me pranu veprën, këtë e kam cek në shënim zyrtar”, ishin fjalët e Berishës drejtuar gjyqtares Nushe Kuka-Mekaj.

“Gjykata vepron në bazë të kërkesës se prokurorisë, nëse ju konsideroni se nuk dëshironi të dëgjoheni si dëshmitar atëherë deklaroni dhe do e konstatojmë në procesverbal”, tha gjyqtarja Kuka-Mekaj.

Ajo njoftoi dëshmitarin se për gjykatën shënimi zyrtar nuk është provë.

Si dëshmitar u dëgjua edhe polici Sulltan Kadrija, qe ditën kritike kishte rastisur në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur grabitja.

“Po i kam shikuar videoincizimet, unë e kam identifikuar nga videoincizimet pa maskë dhe aty e kam identifikuar se është i akuzuari, nga disa videoincizimeve të publikuar në indeksonline”, tha dëshmitari .

Si dëshmitar u dëgjua po ashtu polici Hajdar Ahmeti, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes.

“Unë kam vrapuar pas tij në një distancë të gjatë dhe kam qenë diku 20 deri në 30 metra larg tij, dhe e kam pa konstruktin e personit, lëvizjet e tij, ndërsa pas shikimit të videove janë të njëjta lëvizje trupore, gjatësia e njëjtë me personin që e kam identifikuar sipas kamerave pa maskë”, tha dëshmitari.

Për fund si  dëshmitar u dëgjua edhe Vlori Ukella, i cili kishte rastisur në pompën kur kishte ndodhur grabitja.

Ai tha se personi që kishte hyrë në pompë e kishte gjuajtur me armë por nuk e kishte qëlluar, ndërsa shtoi se nuk e di kush është grabitësi.

Në këtë rast penal rezultatet e nxjerra nga Agjencioni i Forenzikës kanë rezultuar negative në raport me të akuzuarin, me rastin e krahasimit të mostrave të mjeteve të gjetura në vendin e ngjarjes me ADN-në e të akuzuarit.

Sipas aktakuzës së Pejës, Bajram Avdimetaj më 26 korrik 2018 në një lokal dhe në marketin e një pompe të benzinës, duke përdorë armë dhe kanosje serioze ka marrë shumën prej 235 eurove.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 27 tetor.