Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Pejë, dështon seanca për vrasje në tentativë

Ka dështuar të mbahet sot seanca gjyqësore në gjykimin ndaj Eledian Panxhës, i cili po akuzohet për vrasje në tentativë ndaj një të mituri.

Seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së të dëmtuarit V.K.

“Nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit të sotëm gjyqësor për shkak të mungesës së të dëmtuarit”, konstatoi kryetari i trupit gjykues Sami Sharraxhiu.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga Sami Sharaxhiu, Lumturije Muhaxheri dhe Ahmet Rexhaj.

Prokuroria akuzon Eledian Panxhën se me dashje dhe me përdorim  të thikës ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin V.K. Aktakuza sqaron se i dëmtuari paraprakisht kishte goditur me armë në kokë të akuzuarin, ndërsa kur i kishte rënë karikatori, i akuzuari e kishte goditur në gjoks me thikë të dëmtuarin.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 1 nëntor.