Pejë - Dështon seanca për grabitjen e 50 mijë eurove

Në mungese të prokurorit dhe avokatit, Gjykata e Pejës ka dështuar të vazhdoj procesin gjyqësor ndaj Xhavit Berishës dhe Exhevit Zekiqit, të akuzuar për grabitje të 50 mijë eurove.

Mbrojtësi i të akuzuarit Exhevit Zekiq, avokati Bekë Lajqi ka njoftuar Gjykatën se ka hequr dorë nga mbrojta, për shkak se familjarët e këtij të fundit e kanë kanosur atë.

Trupi gjykues me kryetar gjykatësin Sami Sharraxhiu, vendosi që të  akuzuarit Exhevit Zekiq do t`i caktohet një mbrojtës tjetër sipas detyrës zyrtare.

Ndërsa prokuroja e çështjes Sahide Gashi nuk e ka arsyetuar mungesën.

Sipas aktakuzës, Xhavit Berisha dhe Exhevit Zekiq, më 23 korrik 2018, në fshatin Kashicë të Istogut në shtëpinë e Agim Shoshit me kanosje serioze për të sulmuar jetën e personave të tjerë me armë dhe atë të dëmtuarave Ilirida Shoshi dhe Edona Lajqi-Shoshi, ua marrin shumën e të hollave prej 50,000.00 euro dhe gjësende në vlerë prej 1800 euro.

Seanca e radhës është caktuar me date 13.11.2019.

 

E dëmtuara: Nën kërcënimin e armës dhe sëpatës të akuzuarit na grabitën 50 mijë euro

.