Gjykimi për falsifikimin e parave

Pejë, dënohen të akuzuarit për prodhim të parave të falsifikuara

Katër burra nga Peja janë shpallur fajtorë për falsifikim të parave.

Gjykata në Pejë i ka dënuar Real Kastratin, Elez Kastratin, Edmond Gashin dhe Mërgim Veselajn.

Përkatësisht, të akuzuarit Real Kastratit gjykata i ka shqiptuar dënim prej 6 muaj  burgim, dënim ky i cili me pëlqimin e të  akuzuarit mund t’i shndërrohet në gjobë.

Ndërsa të akuzuarit Elez Kastrati, Edmond Gashi dhe Mergim Veselaj, iu është  shqiptuar dënim me kusht me burgim prej 6 muajsh, të cilin dënim të akuzuarit nuk do ta vuajnë nëse në  afat prej 1 viti nuk kryejnë vepër të  re penale.

Po ashtu gjykata kërkoi konfiskimin e parave të falsifikuara si dhe mjeteve të përdorura për falsifikimin e parave.

Te akuzuarit sot secili veç e veç pranuan fajësinë për veprën penale që u vihej në  barrë .

Me pranimin e fajësisë se të akuzuarve është pajtuar prokurori i shtetit Agron Galani.

“Duke pas parasysh së pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurve është bërë në mënyrë vullnetare, pasi janë njoftuar për përparësitë dhe pasojat për pranimin e fajësisë, dhe pas konsultimit më mbrojtësit e tyre, si dhe meqenëse pranimi mbështetët në provat materiale në shkresat e lëndës, i propozoj gjykatës që pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurve të aprovohet”, tha prokurori Galani.

Sipas aktakuzës Real Kastrati, me 20 janar 2019 në  lokalin “Fotoshop” në  Pejë  ka prodhuar para të falsifikuar, gjersa te akuzuarit Elez Kastrati, Edmond Gashi dhe Mergim Veselaj kanë  qenë në dijeni se i akuzuari Real ka prodhuar para të  falsifikuara.