Foto: Kallxo.com

Pejë, 6 vjet burg për grabitjen e mbi 200 mijë eurove në këmbimore

Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor Skifter Beqirajn, në akuzën për grabitje të mbi 200 mijë eurove.

Trupi gjykues i përbërë nga Sylë Lokaj, Sami Sharraxhiu e Sejdi Blakaj, e dënoi Skifter Beqirajn me 6 vjet burgim dhe 3000 gjobë.

Ndaj tij do të vazhdoje masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës.

Në këtë rast ishte rihapur shqyrtimi gjyqësor, me arsyetimin se janë shfaqur dilema lidhur me mendimin e ekspertëve të Laboratorit të Forenzikës.

Pas rihapjes së shqyrtimit e dëgjimit te ekspertëve të ADN-së, gjykata gjeti fajtor Skifter Beqiraj.

Rasti ka të bëjë me një grabitje në një këmbimore të Pejës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, pasi grabitësit, i akuzuari Beqiraj dhe 3 persona te paidentifikuar, e kanë shtrirë për toke të dëmtuarin Gazmend Gashi, e kishin tërhequr zvarrë viktimën deri në dhomën e pritjes.

Dosja e prokurorisë sqaron se ata më pas ia kishin lidhur gojën dhe duart dhe me anë të goditjeve e kishin detyruar që të tregojë se ku e kishte fshehur çelësin e këmbimores nga e cila me pas ia kishin marrë të gjitha paratë.

Sipas prokurorisë, njëri nga anëtarët e grupit, me çelësa në dorë kishte shkuar të këmbimorja “Te Gazi”, dhe kishte arritur t’i marrë paratë në valuta të ndryshme, në vlerë mbi 223 mijë euro.

Aktakuza specifikon se grabitësit arritën t’ia marrin Gazmend Gashit 146,490.00 franga zvicerane, 27,433.00 dollarë amerikanë, 52,090.00 euro, 1,237.23 euro në valuta të ndryshme, mbi 200,000 lekë si dhe ari në vlerë prej 15,000.00 euro.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Prokuroria tregon si iu grabitën pejanit rreth 230 mijë euro