Pejani i ofron mito policit në Durrës, arrestohet

V. B., 22 vjeçar nga Peja, është arrestuar në Durrës nga Policia shqiptare.

I njëjti dyshohet se ka ofruar mito zyrtarëve të Policisë.

“Arrestohet në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi V. B., 22 vjeç, banues në Pejë, Kosovë, i cili i ofroi ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore me qëllim shmangien e masës administrative”, ka njoftuar Policia shqiptare.

“Ky shtetas në aksin rrugor Durrës-Plepa, ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke drejtuar mjetin e tij tej normave të lejuara të shpejtësisë, konstatuar nga agjenti verifikues me Radar, dhe gjatë momentit të ndalimit i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore së bashku me dokumentacionin dhe 30 euro, me qëllim shmangien e masës administrative”, bën të ditur Policia.

Më tej në njoftim thuhet se materialet e iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.