Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Pasojat e lajmërimit të rrejshëm në polici

Policia është adresa e parë ku shumë qytetarë raportojnë për ndonjë krim. Prandaj çdo person që ka dijeni për ndonjë vepër penale duhet ta paraqesë atë.

Ligji parasheh rastet e caktuara kur një kallëzimi i një vepre penale është i detyrueshëm.

“Punëtori social, punëtori shëndetësor, mësuesi, edukatori ose personat tjerë që kryejnë punë në cilësi të ngjashme të cilët mësojnë ose zbulojnë se ekziston dyshim i arsyeshëm se fëmija është viktimë e veprës penale, e sidomos për vepra penale kundër integritetit seksual, këtë duhet ta kallëzojnë menjëherë” – thuhet në Kodin e Procedurës Penale.

Kallëzimi i ndonjë vepre apo personi të dyshuar duhet të bëhet në prokurori ose në organet e policisë.

Por, kushdo që bën lajmërim të rremë për kryerjen e një vepre penale duke e ditur se personi i tillë nuk është kryesi, dënohet me gjobë ose me burgim.

Kodi Penal i Kosovës ka paraparë se për lajmërim apo kallëzim të rrejshëm në organet e policisë apo prokurorisë mund të dënoheni deri në 3 vjet burgim.

Gjatë periudhës kohore 2016-2019, të dhënat statistikore tregojnë se departamentet e përgjithshme dënuan disa persona.

Databaza e të dhënave statistikore e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, tregon se numri i rasteve të dënimeve për këtë vepër ka shkuar duke u rritur vit pas viti.

Sipas të dhënave gjatë katër viteve të fundit gjykatat kishin 16 lëndë në punë nga të cilat arritën të zgjidhin shtatë.

Prej këtyre lëndëve, në vitin 2019 u shqiptua një dënim me gjobë. Ndërkaq, për katër vite departamentet e përgjithshme morën 4 vendime me dënim më kusht.

Të dhënat e hapura më tej sqarojnë se gjatë kësaj kohe gjykatat për asnjë person nuk ndërmorën vendim lirues apo refuzues.

Në vitin 2016, një person kishte lajmëruar në polici se nën kërcënim të armës i ishte vjedhur portofoli me 2 mijë e 161 euro. Pas hetimeve është vërtetuar se një vepër e tillë nuk ka ndodhur dhe i dyshuari ka bërë kallëzim të rremë.

Për këtë Gjykata e Ferizajt të akuzuarit i ka shqiptuar dënim me gjobë prej 150 euro dhe burgim me kusht prej 4 muajve.

Lajmërimi apo kallëzimi i rremë 

Kodi Penal i Kosovës përcakton se kushdo që bën lajmërim të rremë se personi i caktuar ka kryer vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, duke e ditur se personi i tillë nuk është kryesi, dënohet me gjobë ose me burgim prej 3 muaj deri në 3 vjet.

Sipas Kodit Penal, kushdo që ofron prova të rreme për vepër penale kundër personit për të cilin ai e di se nuk e ka kryer veprën, për kallëzim të rremë personi mund të dwnohet deri në 3 vjet burgim.

Po ashtu, kushdo që lajmëron veten se ka kryer vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, edhe pse nuk e ka kryer veprën e tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 muaj. 

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.