Foto: KALLXO.com

Pasaportat e kafshëve e ulin në bankën e të akuzuarit veterinarin nga Ferizaj

Mexhid Haxhimusa dhe Artan Pajaziti janë deklaruar të pafajshëm sot në Gjykatën e Gjilanit, kur u ulën në bankën e të akuzuarit.

I pari po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare e i dyti për moslajmërim të një vepre penale.

“Unë nuk e kam kryer këtë vepër penale dhe nuk e kam keqpërdorur pozitën zyrtare”, tha shkurt i akuzuari Mexhid Haxhimusa.

Tutje, i akuzuari tha se dokumentet e nevojshme për lëvizjen e kafshëve janë pasaporta e kafshës, të dhënat e pronarit, certifikata shëndetësore, certifikata e dezinfektimit të mjetit transportues, të cilën e lëshon inspektori veterinar nga Komuna.

“Në zyrën time është e vërtetë se janë gjetur 13 numra matrikulues, mirëpo ata nuk janë numra serikë, por janë numra lëvizës dhe nuk kemi lëshuar dokumentacion për ta”, tha i akuzuari.

I pandehuri tjetër në këtë çështje, Artan Pajaziti, në seancë tha se në ambulancën e veterinarisë “Indriti” ka punuar si teknik veterinar.

“Sipas urdhrit të punëdhënësit kam punuar punë të ndryshme. Ordinanca ku kam punuar ka qenë e licencuar në kohen kur na akuzon Prokuroria. Çmimi i një pasaporte të kafshëve është 1 euro. Asnjë dokument tjetër nuk është lëshuar nga ordinanca gjatë periudhës kohore korrik-nëntor të vitit 2016, përpos pasaportave të kafshëve”, tha ai.

Tutje Pajaziti tha se në ordinancë janë gjetur 13 numra identifikues për kafshë por ata kanë qenë të furnizimit, të cilët ua ka ofruar kontraktuesi komunal.

Sipas Prokurorisë,  i akuzuari Mexhid Haxhimusa gjatë vitit 2016, në regjionin e Vitisë dhe Ferizajt, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ashtu që është qasur pa autorizim në sistemin e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve të Agjencisë së Veterinarisë dhe të Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Tutje, sipas aktakuzës, Haxhimusa ka lëshuar certifikata, numra identifikues dhe pasaporta të kafshëve, për të cilat e ka ditur se të njëjtat janë të kontrabanduara nga të akuzuarit Heset Shefkiu, Bekim dhe Daut Reqica (të cilët kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë në Prokurori), dhe në këtë mënyrë ia ka mundësuar që të akuzuarve me këto dokumente që të transportojnë me kamionë kafshët e kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë së Veriut nëpër territorin e Republikës së Kosovës për në Republikën e Shqipërisë.

Prokuroria e akuzon edhe Artan Pajazitin për shkak se nga muaji korrik 2016 deri në muajin nëntor 2016, në ordinancën e veterinarisë “Indriti”, në Ferizaj, i akuzuari  ka qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale – të akuzuarit Mexhid Haxhimusa, ashtu që nuk e lajmërojnë një fakt të tillë.

Seanca e radhës mbahet më 21 janar, kur do të jepet fjala përfundimtare.