Pas vendimit të Apelit, Gjykata e Pejës vazhdon gjykimin për vrasjen e dy vëllezërve Berisha

Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Pejës kishte dërguar në Gjykatën e Apelit lëndën për vrasjen e dy vëllezërve Berisha në fshatin Kosuriq të Pejës, për të cilën vrasje po akuzohet Binak Panxha.

Gjykatësi i çështjes Sami Sharraxhiu tha se do të dërgoj lëndën te kryetari i Gjykatës së Apelit që të vlerësojë a mund ai si kryetar i trupit gjykues të vazhdoj gjykimin në këtë çështje penale.

Kjo për shkak se nëna e viktimave, Shake Berisha ka shkuar në shtëpinë e babait të gjykatësit me qellim që të kërkoj nga ai ndihmë që i biri, këtu gjyqtari të jetë objektiv në këtë çështje penale.

“Shake Berisha ka shkuar në shtëpinë e babait tim, duke i thënë se unë e kam një lëndë te djali yt Sami Sharraxhiu, kërkoj të më ndihmosh se mi kanë vra dy djemtë e po dojnë mem qit prej shtëpisë”, kishte deklaruar gjyqtari Sami Sharraxhiu.

E dëmtuara Shake Berisha kishte deklaruar se ka shkuar në shtëpinë e babit të gjykatësit që t`i kërkoj ndihmë, sepse sipas saj djali i tij këtu gjykatësi Sami Sharraxhiu po bën padrejtësi.

“Unë edhe pse kam shkuar çka ka lidhje, kom dashtë mi tregu që djali yt po më bën padrejtësi e merru me to, thuaja dy tri fjalë le të punon drejt, as si kom ra, as se kom shajt, veç kam kërkuar mem ndihmu”, tha Shake Berisha.

Por Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e gjykatësit Sami Sharraxhiu.

Prokuroria e Pejës e akuzon Binak Panxhën se shkaku i prerjes së pyllit, me dashje i ka privuar nga jeta dy vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berishën.

Në aktakuzë thuhet se dy viktimat së bashku me shokun e tyre Jetlir Gashin ishin nisur me kuaj në pyll për të prerë dru.

Pasi i parkojnë qerret buzë rrugës dhe futen në pyll (pronë e të pandehurit) për të prerë dru, pas disa çastesh viktima Arsim dëgjohet duke thirrur: “Kush hamami jeni ju”? dhe në atë moment i pandehuri Binak Panxha nga arma automatike shkrep 3 herë e më pas shkrep rafal 11 herë, duke i privuar kështu nga jeta tani të ndjerët.

Pas aktit, në aktakuzë thuhet se i akuzuari i largon trupat e të ndjerëve duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes, me ç’rast i vendos në pjesën e tokës pa pronar.

 

Arsim e Ramiz Berisha u vranë në Kosuriq të Pejës më 22 korrik të vitit 2017.

Vrasja e dy vëllezërve në Kosuriq të Pejës, dështon seanca

.