Pas uljes së dënimit të Shukri Bujës, flet avokati i tij

Ish kryetari i Lipjanit dhe këshillari i Presidentit, Shukri Buja është dënuar sot me 2 vjet denim me burg për veprën e keqpërdorimit të detyrës. Përveç kësaj, Buja detyrohet që Komunës së Lipjanit t’i kthejë 79 mijë euro.

Avokati i Bujës, Arianit Koci pas marrjes së vendimit është deklaruar i pakënaqur me vendimin.

Koci ka thënë se gjykata nuk i ka dhënë atij kohë të mjaftueshme për përgatitjen e provave. Ai ka shtuar se ky është vendimi më i shpejtë që ka marrë ndonjëherë gjykata në karrieren e tij.

“Së pari, nuk janë përfillë rekomandimet e Gjykatës së Apelit dhe mua nuk më është ofruar koha e duhur që të përgatitem, në momentin që kam pranuar procesverbalin e seancës së fundit. Unë i kam kërkuar shtatë ditë, sa është rregulli i pashkruar, dhe do të shoh si do ta bëjë arsyetimin gjykata që nuk do ta ketë të lehtë. Gjykata e  Apelit ka rekomanduar që të nxjerrin prova që të vërtetohet fajësia e Bujës. Këto nuk janë përfillur. Rikgjykimi ka përfunduar brenda një ditë dhe të nesmërmen është marrë vendimi. Ky është vendimi më i shpejtë prej që kam pasur në karrierë”, ka thënë avokati i Shukri Bujës.

Shukri Buja ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burg por Apeli e ka kthyer këtë rast në rigjykim.

Sipas aktgjykimit të nëntor të vitit 2018 të Gjykatës së Prishtinës i akuzuari, Nebih Zeqiri, ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, ndërsa edhe i akuzuari i tretë Halit Gashi ishte dënuar me 6 muaj burgim.

I akuzuari Fahri Ratkoceri ishte liruar nga akuza ndërsa Fahri Vishesella ishte dënuar me 5 muaj burg, Edmond Rexhepi me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 3,500 euro), Bajram Rizani me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 500 euro), ndërsa Driton Avdiu, Magbule Sadiku e Burim Kodra ishin liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës, Shukri Buja, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Po ashtu, Buja akuzohet për ndikim te personat zyrtarë, tani të pandehurit Hasim Vishesella, shef i sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe Edmond Rexhepi, drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, të cilët, sipas aktakuzës, i ka shtytur në ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit, ashtu që kanë lëshuar lejen urbane e më pas edhe lejen për ndërtim.

Buja akuzohet se ka pranuar ryshfet, me pagesën e bërë nga i pandehuri Fahri Retkoceri, duke ia riparuar automjetin zyrtar “Mercedes ML” në shfrytëzim të tij e në pronësi të Komunës së Lipjanit.

Me çka dhe u akuzua nga prokuroria për veprat penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe ushtrim i ndikimit.

Por, disa të akuzuar kanë pëfiituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015.

Përfundon rigjykimi ndaj Shukri Bujës dhe të tjerëve në rastin ‘Feronikeli’