Pas hulumtimit të KALLXO.com nisin procedurat kundër gjyqtarit Riza Livoreka

Kryetari i Gjykatës në Ferizaj, Mustafë Tahiri ka iniciuar procedurat disiplinore kundër gjyqtarit Riza Livoreka pasi ky i fundit u shfaqë në emisionin “Kallxo Pernime”, duke u kërkuar palëve të arrinin marrëveshje jashtëgjyqësore në të kundërtën do t’ua merrte pronën.

“Ju njoftoj se pas transmetimit të emisionit tuaj me temën “Gjyqtari ne Kaçanik negocion në zyre fatin e lëndës”, dhe pas analizimit të këtij emisioni, unë si autoritet kompetent duke vepruar sipas detyrës zyrtare sot me datë 27.01.2022 i kam paraqitur Këshillit Gjyqësorë të Kosovës kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit Riza Livoreka”, tha për KALLXO.com, kryetari i Gjykatës Themelore të Ferizajt, Mustafë Tahiri.

Gjykatësi Livoreka i cili shërben në Kaçanik u filmua duke biseduar me një palë në procedurë dhe duke i kërkuar të atyre që të realizonin marrëveshje ose në të kundërtën prona do t’iu merrej.

“O unë me ty jam tu fol veç që e njoh Rakipin, moti se s’kisha fol hiç, unë ta bij vendimin se ke respektu të drejtën për parablerje, pesë pare si jap”, dëgjohet gjykatësi Livoreka duke i thënë palës së paditur.

Ashtu edhe siç edhe kishte paralajmëruar, pasi nuk u arritur marrëveshja Gjyqtari Livoreka me datë 31 dhjetor 2021 e kishte nxjerrë vendimin me të cilin ia kishte marrë  pronën familjes Malësia dhe të njëjtët ia kishte dhënë familjes Tusha.

Vendimi ishte marrë duku u bazuar në një ligj i cili që nga viti 2009 nuk zbatohet në Repulbikën e Kosovës.

Sipas Hasan Shalës, gjyqtar i gjykatës së Apelit,  kontestet që kanë lindur pas vitit 2009 nuk mund të gjykohen me Ligji i vjetër por me Ligjin për Pronësinë dhe të drejtat sendore i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2009.

“Për kontestet që kanë lindur pas vitit 2009 nuk mund të zbatohet më ligji i vjetër dhe për këto raste e drejta e parablerjes nuk mundet me ardhë në shprehje sepse ligji i ri nuk e parasheh në rastet e tilla”, theksoi Hasan Shala

Përpos tjerash në pamjet e shfaqura në emisionin “Kallxo Pernime”, gjyqtari Livoreka dëgjohet duke u thënë palëve që të mos e ndjekin procedure gjyqësore pasi e njëjta zgjatë 10 vite.

“Po unë po të kallëzoj personalisht i thash hekne lëndën mos shkoni nëpër gjykata, se minimum po të them, minimumi nja 10 vjet keni me shku nëpër gjykata, se qashtu është duke shku procedura, sidomos qetash ma është përzi sistemi, është bo llugë, s’e di se çka është tuj ndodhë ma edhe qekjo pandemia që na ka shty…”, thotë gjyqtari Livoreka

Gjyqtari Riza Livoreka nuk ka pranuar të flasë para kamerës së emisionit “Kallxo Përnime”.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link.