Pas hulumtimit të KALLXO.com ngritet aktakuzë kundër burrit të prokurores

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër burrit të prokurores Elvehe Gashi, Bajram Gashit dhe dy personave të tjerë, pas hulumtimit të publikuar në ‘KallxoPernime’.

Përpos burrit të prokurores, në këtë rast është ngritur aktakuzë edhe ndaj Rizam Hoxhës dhe Dardan Hoxhës të cilët shihen të video filmimet e publikuara, duke i numëruar paratë të cilat ishin të destinuara për ndikim në lëndë penale.

Bajram Gashi dhe Rizam Hoxha, po akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë kërkuar para nga Dardan Hoxha në zyrën e tij dhe me këtë rast kanë kryer ushtrim ndikimi.

Ndërsa Dardani akuzohet se i kishte dhënë këto para me qëllim të ushtrimit të ndikimit.

Ky rast ishte denoncuar në ‘KallxoPernime’ nga vet tani i akuzuari Dardan Hoxha i cili me këtë denoncim ka treguar për një nga aferat më të mëdha të keqpërdorimeve në rajonin e Prizrenit.

Dardani, një i dënuar për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, ka rrëfyer në emision se ka paguar mbi 5 mijë euro mito, para këto të cilat, sipas tij, i janë kërkuar për të lehtësuar lëndën në Prokurorinë e Prizrenit.

Dosja e tij, sipas hulumtimit të KALLXO.com, ishte hetuar nga prokurorja Ervehe Gashi, ndërsa Dardani ka filmuar një moment kur i dorëzon rreth 5 mijë euro në dorë të Rizam Hoxhës, një mik i burrit të prokurores që po e hetonte rastin.

“Rizami m’i ka kërkuar paratë në emër të Bajram Gashit që është burri i prokurores Ervehe Gashi”, ka rrëfyer Hoxha.

Prokurorja Gashi ka thënë se nuk ka të bëjë asgjë me këto transaksione dhe se nuk ka qenë e njoftuar për këto diskutime.

Filmimi i cili është shfaqur gjatë emisionit, shfaq Dardanin duke i numëruar paratë dhe duke i futur ato në një zarf. Tutje Rizam Hoxha, personi që i pranon paratë, kryen një telefonatë në të cilën ai dëgjohet duke caktuar një takim me një person që, sipas Dardanit, ishte burri i prokurores Ervehe Gashi.

Dardani në atë kohë ishte duke u ndjekur penalisht nga prokurorja Gashi ndërsa pjesë e hetimit ishte edhe babai i tij, Sadik Hoxha.

Takimi kur ishin dorëzuar paratë kishte ndodhur në gusht të vitit 2017, kohë kjo kur babë e bir ishin liruar nga paraburgimi.

Personi që i pranon paratë është Rizam Hoxha, një mik i Bajram Gashit, burrit të prokurores Ervehe Gashi. Miqësia në mes Gashit e Hoxhës është konfirmuar nga vetë Bajram Gashi në një përgjigje me shkrim që e ka dhënë për emisionin.

Pas dorëzimit të parave Dardani ka rrëfyer se babai i tij, Sadik Hoxha, ishte takuar me burrin e prokurores Ervehe Gashi në shtëpinë e vikendit të këtij të fundit.

Takimi kishte ndodhur në kohën kur prokurorja ishte duke e hetuar rastin dhe Sadik Hoxha ishte pjesë e hetimit penal në këtë dosje.

Sadik Hoxha ka rrëfyer se gjatë kohës kur ai ishte duke u hetuar ishte takuar dy herë me burrin e prokurores për të diskutuar për lëndën.

Emisioni ‘KallxoPernime’ ka tentuar të kontaktojë edhe me Rizam Hoxhën, personin që apostrofohet në këtë ngjarje, mirëpo ai ka qenë i paarritshëm.

Hulumtimin e plotë të këtij rasti mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.

https://video.gjirafa.com/emision-kallxo-pazaret-me-hetimet-07-04-2021

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.