Pas 9 vitesh prokurorja riakualifikoi veprën për njërin të akuzuar në rastin e vrasjes së Naim Hajrizit

Gjykimi maratonik ndaj Gëzim Retkocerit e Osman Spahiut për vrasjen e Naim Hajrizit pasoi me rikualifikimin  e veprës penale. Prokuroria fillimisht e ngarkonte Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun për vrasjen rëndë të Naim Hajrizit që kishte ndodhur me 29 prill të vitit 2009.

Kujtojmë së gjykata në korrik të vitit 2015 kishte dënuar Retkocerin dhe Spahiun me nga 30 vjet burgim për vrasjen e tani të ndjerit Naim Hajrizit.

Por Apeli për shkak të shkeljes se dispozitave procedurale e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Pasi u mbajt rigjykimi në këtë çështje penale në fjalën përfundimtare prokurorja e rastit Fikrije Zejnullahu në fjalën përfundimtare rikualifikoi veprën nga vrasja e rëndë në veprën dhënia e ndihmës pas kryerjes se veprës penale në lidhje me të akuzuarin Osman Spahiu.

Ndërsa për të akuzuarin Gëzim Retkoceri, qëndroi prapa akuzës për vrasje të rëndë.

Prokurorja Fejzullahu tha se pas administrimit të provave në këtë shqyrtim gjyqësor u vërtetua se: “Osman Spahiu me qëllim që Gëzim Retkoceri dhe personi NN t`i shmangen zbulimit dhe arrestimit, me datën 29 dhe 39 prill 2009 deri sa ishte në servisin Cali, pronë e të akuzuarit Gëzim, dhe sipas kërkesës së të akuzuarit u ka kryer shërbime duke ua blerë një shishe me benzinë, duke bartur vetura brenda dhe jashtë servisit, duke mbuluar shenjat e vajit me byk, ndërkaq me data 30 prill 2009 me kërkesën e Gëzim Retkocerit e kishte thirrur në telefon vëllain e tani të ndjerit Naim duke i thënë se “vëllain e ke në Shkup, mos e lyp në Polici” edhe pse kishte njohuri se tani i akuzuari Gëzim e kishte privuar nga jeta Naim Hajrizin”.

Avokati Ramë Dreshaj, mbrojtës i të akuzuarit Osman Spahiu lidhur me rikualifikimin e aktakuzës deklaroi se nuk ka vërejtje me këtë rikualifikim sepse këto çfarë tha prokurorja si blerja e benzinës, lëvizja e veturave, thirrja telefonike i ka pohuar edhe vetë gjatë dhënies së mbrojtjes andaj deklaroi se e pranon fajësinë, dhe si mbrojtës i të akuzuarit Osman Spahiu tha se “i kërkoj falje familjes së dëmtuar sepse veprimet e Osmanit paskan quar ne kryerjen e veprës”.

Pas 9 vite e 11 muaj e 20 ditë ose 3641 ditësh përfundoi gjykimi për Osman Spahiun.

I akuzuari Osman Spahiu, e pranoi  fajësinë për veprën penale dhënia e ndihmës së kryerjes së veprës.

Ndërsa trupi gjykues me vendim unanim aprovoi pranimin e fajësisë  nga i akuzuari Osman Spahiu.

I pyetur nga Kallxo.com se pse tash pas tërë këtyre viteve Osman Spahiu kishte vendosur të fliste në seancë e rrjedhimisht të pranonte fajësinë avokati Ramë Dreshaj, mbrojtës i të akuzuarit Osman Spahiu deklaroi: “Për çdo kë mund të duket e çuditshme pranimi i fajësisë pas kaq kohësh se në maj bëhen 11 vite që gjenden në paraburgim, arsyeja pse s`ka tregu më herët mirëpo problemi kryesor ka qenë se këta kanë qenë dajë e nip, andaj ka hezitu që këto çfarë ka thënë në rigjykim t’i thotë më parë. Po t’i kishte thënë me kohë, ai nuk do të ishte akuzuar për vrasje të rëndë. Unë jam i kënaqur profesionalisht që i mbrojturi im e mori rolin e vet në këtë vrasje makabre edhe pse ai nuk e ka ditur se blerja e benzinës, lëvizja e veturave, mbulimi i vajit me byk, thirrja telefonike sipas kërkesës së Gëzim Retkocerit kanë qenë me prapavijë të vrasjes”.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast, të gjitha lajmet mund ti gjeni këtu – LINK