Paradite pranuan fajësinë për drogë, pasdite dënohen nga gjykata

Një i akuzuar për shitje të drogës është dënuar me 2 vjet e gjysmë burg ndërsa pesë të tjerë me nga gjashtë muaj nga Gjykata në Prishtinë, pak orë pasi të akuzuarit e pranuan fajësinë.

Që të gjashtë të akuzuarit pranuan fajësinë në veprat që u ngarkohen gjatë seancës së mbajtur sot paradite.

I akuzuari Dalibor Spasiq u dënua me 2 vjet e gjysmë burg dhe 2 mijë euro gjobë për shitblerje  të narkotikëve dhe falsifikim të parave

Gjithashtu gjykata shqiptoi edhe dënimin plotësues për konfiskimin e të gjithë substancës narkotike të sekuestruar nga të akuzuarit si dhe 2 kartmonedhat e falsifikuara në vlerë prej 50 euro.

Aktakuza thotë se i pandehuri Dalibor Spasiq, më 28 shkurt të këtij viti, rreth orës 20:45, në Fushë Kosovë afër mobilerisë  “Mobin” i ka shitur substancë narkotike të pandehurit Gani Binxhiku.

Tutje aktakuza thotë se Spasiq më 29 shkurt, rreth orës 20:00 në Fushë Kosovë, në rrugën “28 nëntori” në hyrje të banesës së tij u ka shitur substancë narkotike të akuzuarve Enis Dula, Besnik Hoxha, Besian Vuçitërna dhe Leutrim Sokolit, te të cilët pjesëtarët e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar substancën narkotike.

Aktakuza gjithashtu thotë se pasi policia ka bërë bastisjen e banesës së të akuzuarit Spasiq, ka gjetur dhe sekuestruar 60 qese të vogla të mbushura me amfetaminë, 22 qese të vogla të mbushura me marihuanë në peshë prej 118.9 gram, 6 qese me marihuanë me peshë prej 143.21 gram, një kuti me fara kanabis dhe një mulli.

Po ashtu të akuzuarit Spasiq i ishin gjetur edhe 2 kartëmonedha prej 50 euro të falsifikuara të cilat i kishte në mbajtje me qëllim të vënies në qarkullim.