Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Paraburgim të pandehurve, dyshohen se keqpërdorën pozitën zyrtare dhe kontrabanduan mallra  

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurve M. A. dhe N. K.

Ata po dyshohen se i kanë kryer veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe kontrabandimit me mallra.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 05 Tetor 2021, i pandehuri M. A., në cilësinë e personit zyrtar – roje pylli, tek autoriteti pyjor në komunën e Kamenicës, me dashje ka keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që ka damkosur rreth 12 kubik drunjë, të llojit pishë, edhe përkundër faktit që kjo sasi e drunjëve ishte kontrabanduar nga Republika e Serbisë, me ç’rast ka legalizuar këtë sasi të drunjëve duke i mundësuar të pandehurit tjetër N. K., që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur, pasi masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, ka njoftuar Gjykata e Gjilanit.

 

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: https://kallxo.com/ligji/gjilan-kerkohet-paraburgim-ndaj-dy-personave-per-keqperdorim-te-pozites-zyrtare-dhe-kontrabande-me-mallra/.