Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

Paraburgim të dyshuarve se morën 90 mijë euro fajde për 1,700 euro borxh

Gjykata në Pejë u ka caktuar masën e paraburgimit tre të dyshuarve për fajde me inicialet I.D, B.N dhe A.Gj.

Sipas njoftimit të Gjykatës në Pejë, të dyshuarit nga viti 2015 e deri më 15 gusht 2019, kanë kontraktuar një shumë që ishte dukshëm joproporcionale në këmbim të shërbimit për viktimën V.Sh.

Gjithnjë sipas njoftimit të Gjykatës në Pejë, të pandehurit duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës i kanë shkaktuar dëm financiar në vlerë prej 90 mijë euro, pasi që fillimisht, viktima kishte huazuar 1.700 euro si borxh me qëllim që të dërgonte të vëllain jashtë shtetit.

Për këtë borxh, sipas njoftimit të Gjykatës, viktima deri më datë 15 gusht 2019 ishte detyruar të paguaj kamat në shumë prej 90 mijë euro në vende dhe në periudha të ndryshme, ndërsa në momentin kur viktima nuk kishte arritur të paguante kamatën e fundit prej 19 mijë euro, viktima ishte detyruar ta shiste truallin  të cilin ju kishin ndarë familjeve të dëshmorëve ndërsa pikërisht në ditën kur parashihej që viktima të shkonte te noteri për të kryer transaksionin, nga presioni tenton të kryes vetëvrasje.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale të fajdes ndërsa ndaj vendimit të Gjykatës së Pejës mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Të pandehurve I.D, B.N dhe A.GJ iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

KALLXO.com ditë më parë raportoi në lidhje me këtë rast.