Prapa grilave - Ilustrim

Paraburgim të dyshuarit që tentoi ta dhunojë seksualisht të miturën në Prizren

Gjykata e Prizrenit ndaj Xh. M. ka caktuar masën e paraburgimit për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale dhunim në tentativë.

Sipas njoftimit të gjykatës vepra dyshohet të ketë ndodhur në pasditen e 9 nëntorit 2021, ku i dyshuari fillimisht kishte ndaluar të miturën, i ishte drejtuar me fjalët ‘ndalu se nuk të bëjë asgjë, mos bërtit’ e më pas e kishte prekur në pjesë të trupit duke tentuar ta dhunojë seksualisht.

“Më datë 9 nëntor 2021, në orët e pasdites tenton të kryej aktin seksual duke e kap për krahu të miturën e ndalon dhe i drejtohet me fjalët: ndalu se nuk të bëjë asgjë dhe duke i thënë ‘’mos bërtit’’ dhe e prek në pjesët të trupit duke tentuar për ta dhunuar seksualisht të njëjtën”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata e Prizrenit masën e paraburgimit e caktoi pasi ka gjetur se ekziston dyshim i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale andaj i njëjti, kjo vepër penale ka pasojë të rënda dhe nëse i njëjti ndodhet në liri, ka gjasë të ikë apo të fshihet, duke qenë i paarritshëm për organet e drejtësisë.

Andaj gjykata në bazë të gjeturave të saj masën e paraburgimit e ka caktuar për shkak të efikasitetit të procedurës penale me qëllim të parandalimit të ikjes së të pandehurit, zhvillimit normal të hetimeve dhe pengimin e përsëritjes të ndonjë vepre tjetër penale.

Po ashtu i pandehuri është njoftuar me të drejtën e tij që ndaj vendimit për paraburgim të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës në nenin 227 par.1 ka paraparë që “. Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet”

Ndërsa në paragrafin 4r pika 4.8 të këtij neni parashihet se kur vepra penale kryhet ndaj viktimës mes moshës 16 dhe 18 vjet kryerësi dënohet me burgim prej 5 deri në 15 vjet.