Ilustrim

Paraburgim të dyshuarit për kontabandim të testeve për COVID-19 nga Serbia

Gjykata në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve të pandehurit D. M.

D.M. dyshohet se ka bërë kontrabandim të testeve për COVID-19.

“I pandehuri duke qenë në njohuri me situatën e përgjithshme shoqërore të krijuar me pandeminë Covid-19 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ka kontrabanduar mallra me automjetin e tij”, njofton Gjykata e Gjilanit.

Tutje thuhet se pas ndalimit nga ana e Policisë së Kosovës në pikën kufitare të Muçibabës, dhe gjatë kontrollimit të tij, të njëjtit i janë gjetur 930 copë teste VIDAS-STR për Covid-19 dhe pjesët përcjellëse si: 12 teste shishe të mëdha, 25 copë teste shishe me kapak të kuq, 50 copë teste shishe me kapak të bardhë, 31 copë teste qese alumini dhe 21 copë ftohësa të ndryshëm për teste Covid-19, e për të cilat i njëjti nuk ka poseduar asnjë lloj të dokumentacionit mbi origjinën e tyre, të cilat dyshohet se ishin sjellë nga territori i Serbisë.

Gjykata ka njoftuar se në këtë fazë të procedures, paraburgimi është masa më adekuate ndaj të dyshuarit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, për sigurimin e pranisë së tij dhe mbarëvajtjen e procedurës penale”, përfundon njoftimin e sajë Gjykata e Gjilanit me njoftimin se palët kanë të drejtën e ankesës ndaj vendimit për paraburgim.