Ilustrim - Policia në aksion

Paraburgim policit gjilanas për rrahjen e gruas, arrest shtëpiak vëllait të tij

Gjykata në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit R.H, i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale dhunë në familje.

Lajmi u bë i ditur nga Gjykata e Gjilanit.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Ndërsa Gjykata ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit tjetër N.H., i dyshuar për veprën penale lëndim i lehtë trupor, duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditesḧ.

KALLXO.com mëson se i pandehuri R.H i dyshuar për “dhunë në familje” është zyrtar policor.

Sipas kërkesës së prokurorisë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se me 04.06.2020, i pandehuri N.H. kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarës V.Sh. dhe e kishte goditur në kokë dhe duar. Aty kishte qenë i pranishëm edhe i pandehuri R.H., ku ky i fundit në prezencë të fëmijëve e kishte kapur për fyti të dëmtuarën (bashkëshorten) duke e tërhequr zvarrë dhe e duke nxjerrë nga shtëpia, duke i thënë që nuk mund të qëndrosh këtu, sepse je e padëshiruar.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, R.H., ndërsa ka konsideruar se ndaj të pandehurit N.H. duhet të caktohet masa e arrestit shtëpiak, pasi që kjo masë nuk do të pengoj zhvillimin normal të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykates.

“Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit”, përfundon njoftimi i Gjykates së Gjilanit.