Paraburgim për të dyshuarit për vrasjen e djeshme afër Lipjanit
Gjykata e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për vrasjen që ka ndodhur dje afër Lipjanit.
Paraburgimi prej një muaji është caktuar për A.S., i dyshuar për veprat penale – vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje dhe B.S., i dyshuar për shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Gjykata njofton se Prokuroria po akuzon A.S. dhe B.S. se më 6 maj 2020, kanë privuar nga jeta të dëmtuarin A.S., i cili si pasojë e plagëve të marra ka vdekur në QKUK.
Sipas Gjykatës, caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Po ashtu, Gjykata ka gjetur se nëse të pandehurit gjinden në liri ekziston rreziku se do të përsërisin veprën penale, do të ndikojnë në njëri-tjetrin si dhe do të arratisen për t’iu shmangur dënimit.
Sipas njoftimit të Gjykatës, të pandehurit janë udhëzuar në të drejtën e tyre për të paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.