Prapa grilave - Ilustrim

Paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e kushëririt në Podujevë

Për vrasjen e 41 vjeçarit me inicialet G. B., në fshatin Batllavë të Komunës së Podujevës sot është caktuar paraburgimi ndaj 47 vjeçarit me inicialet B. B.

B.B. paraburgimi iu caktuar në kohëzgjatje prej një muaji nën dyshimet për vrasjen e djalit të axhës.

B.B. do të mbahet në paraburgim për shkak të veprave penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Kundër këtij vendimi i pandehuri ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka caktuar paraburgimin pasi ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale.

Po ashtu sipas Gjykatës së Prishtinës ekziston rreziku  se ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit.

Si dhe mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.