Paraburgim për policin që dyshohet se mori ryshfet 12.500 euro

Gjykata e Mitrovicës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj D.K., punonjës në Policinë e Kosovës nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale.

Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin D.K. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale – marrja e ryshfetit dhe – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjykata ka gjetur se provat e prezantuara nga Prokuroria janë relevante në drejtimin e vërtetimit të elementeve për veprat penale për të cilat dyshohet i pandehuri.

Në mesin e provave të prezantuara në Gjykatë ishte edhe vërtetimi për sekuestrimin e 12 mijë e 500 euro, raporton KALLXO.com.

D.K. ishte zënë në flagrancë direkte me rastin e pranimit të shumës prej 12.500 euro, e cila shihet në CD-në, ku në mënyre direkte i pandehuri pranon paratë dhe momenti kur intervenon Njësia e Reagimit të Shpejtë për arrestimin e të pandehurit.

KALLXO.com raporton se  i pandehuri ka kërkuar nga të dëmtuarit – dëshmitarët përfitimin me qëllim të përcjelljes së bartjes së makinerisë nga Zhitkovci në pjesën jugore të Mitrovicës.

D.K. ka kërkuar nga të dëmtuarit shumën prej 25 mijë euro, me qëllim që i njëjti të bëjë sigurimin e mjeteve motorike të cilat do të bartin pajisje apo makineri nga fabrika që gjendet në fshatin Zhitkovc, komuna e Zveçanit në drejtim të Mitrovicës Jugore.

Krejt kjo do të bëhej me qëllim që të dëmtuarit mos të kishin probleme me persona të ndryshëm, ndërsa i dyshuari do të përfitonte dobi pasurore për vete apo për tjetrin, duke u kërkuar direkt shumën prej 12.500 euro.

Andaj nga këto arsye Gjykata e Mitrovicës ka vlerësuar se  ka bazë për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të rrezikut të arratisjes për arsye se kemi të bëjmë me një person zyrtar.

Po ashtu, i pandehuri D.K. veprën për të cilën dyshohet e ka kryer në bashkëkryerje me G.S., çka shton rrezikun që po të lihet në liri apo ndonjë masë tjetër mund të ndikojë të bashkëkoordinohen për të vështirësuar hetimin.