Prapa grilave - Ilustrim

Paraburgim për pesë kamerierë, dyshohen se prodhuan dhe u kthenin klientëve para false

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesë të pandehurve B.B., T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., të dyshuar për veprën penale – falsifikimi i parave.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri B.B me dashje posedon para të falsifikuara  me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta.

Tutje sipas njoftimit, i pandehuri B.B., ia i shet të pandehurit T.P., 1,250 euro të gjitha në monedha metalike nga dy euro me ç’rast i pandehuri T.P., pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900.00 € duke i paguar në mënyra periodike.

“Ndërsa, të pandehurit: T.P., V.Z., L.E.,  dhe A.P., gjatë muajve tetor deri në fillim të muajit nëntor 2021, në intervale të ndryshme kohore, me dashje dhe në bashkëkryerje është vërtetuar se kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që si kamerierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, në mënyra periodike marrin nga 100 euro të falsifikuara – të gjitha në monedha metalike nga dy euro dhe të njëjtat i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm” – përfundon njoftimin e saj Gjykata.

Gjyqtari i rastit Skender Çoçaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 2 nëntor 2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 2 dhjetor 2021.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Dosja e Prokurorisë për pesë kamarierët që prodhuan dhe u kthenin klientëve për kusurë para false