Paraburgim për 6 personat që u përleshën ne Gjykatën e Ferizajt të enjten

Gjykata e Ferizajt ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarit Burim Hasani, Gramoz Hasani, Milaim Krraba, Leotrim Krraba, Argjend Ramadani dhe Arton Ramadani, të cilët u përfshinë në një rrahje të enjten e kaluar gjatë një seance gjyqësore.

Vendimi u mor pasi që Prokuroria e Ferizajt kërkoi paraburgim për këta të dyshuar mbi bazën se ata kanë kryer veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.

Të dyshuarit për rrahjen në seancë Burim dhe Gramoz Hasani janë familjarët e të ndjerit Besart Hasani, ndërsa Argjend dhe Artan Ramadani janë të akuzuarit për pjesëmarrje në rrahje në rastin e vrasjes së Besart Hasanit.

Sipas përshkrimit të ngjarjes nga Prokuroria, incidenti kishte nisur në momentin kur trupi gjykues ishte tërhequr nga salla e gjykimit për të marrë një vendim për përjashtimin e publikut nga seanca.

Sipas Prokurorisë, fillimisht i pandehuri Burim Hasani, vëllai i të ndjerit Besart Hasani, ishte nxjerrë jashtë nga Policia dhe me t’u kthyer në sallë ishte nisur në drejtim të Fadil Ramadanit, i akuzuar për pjesëmarrje në rrahje në rastin e vrasjes së Besart Hasanit.

Dosja e Prokurorisë: Si ndodhi përleshja me grushte e karrige në gjykatën e Ferizajt

Fadil Ramadani është babai i të akuzuarve Albert, Artan dhe Argjend Ramadani.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Burim Hasani kishte filluar ta godasë me grushte në fytyrë Fadil Ramadanin “me qëllim që t’i shkaktojë lëndime trupore”. Më pas në sallë të Gjykatës ishte krijuar një rrëmujë ku në rrahje dyshohen të jenë përfshirë edhe të pandehurit e tjerë Artan, Argjend dhe Fadil Ramadani ndërsa në anën tjetër Jeton dhe Gramoz Hasani si dhe Leotrim e Milaim Krraba.

Rrahja brenda Gjykatës në Ferizaj, Policia jep detaje

Prokuroria thotë se ata kanë filluar ta godasin njëri-tjetrin me grushte dhe karrige të cilat janë gjendur në gjykatore.

E tutje sipas dosjes së Prokurorisë, Artan dhe Argjend Ramadani, vëllezërit e Albert Ramadanit, i cili akuzohet për vrasjen e Besart Hasanit, si dhe Artan e Argjend, që akuzohen për pjesëmarrje në rrahje në rastin e vrasjes së Besart Hasanit, me dashje që t’i shkaktojnë lëndime trupore fillojnë të përleshen fizikisht duke goditur me grushte dhe karrige të pandehurit Burim e Gramoz Hasani si dhe Leotrim e Milaim Krrabën si dhe të dëmtuarit Shefqet Hasani e Shyhrete Hasani e cila është nëna e të ndjerit Besart Hasani dhe Blerina Krraba – Hasani, bashkëshortja e të ndjerit Besart Hasani.

Ata dyshohen se kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria thotë se këta të pandehur dyshohen që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Rrahje brenda gjykatës në gjykimin për vrasjen e Besart Hasanit

Për caktimin e kësaj mase Gjykata vlerëson se është e nevojshme për shkak se ekziston rreziku konkret dhe real se të pandehurit mund të ndikojnë në bashkëpjesëmarrës, te të dëmtuarit dhe dëshmitarët e këtij rasti.

Gjithashtu Gjykata e ka marrë për bazë edhe peshën e veprës penale, mënyrën e kryerjes dhe rrethanat në të cilat është kryer.

Gjykata, po ashtu, ka vlerësuar se masat e tjera më të buta nuk do të ishin adekuate për këtë rast.