Paraburgim ndaj dy të dyshuarve për vjedhje të rëndë

Gjykata e Ferizajt, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit K. P. dhe A. K.

Ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vjedhja e rëndë, veper kjo e dënuar me ligj.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave ligjore”, thuhet në njoftimin e Gjykates se Ferizajt.

Tutje thuhet se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale për të cilën dyshohen nga ana e prokurorisë së shtetit.

“Janë përmbushur kushtet  për caktimin e paraburgimit duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj,  se ekziston rrezik konkret dhe real se të pandehurit mund të përsërisin vepra penale të kësaj natyre, sidomos bazuar në faktin se kemi të bëjmë me vepër penale të natyrës së rëndë, ku objekt i veprës penale janë  gjësendet e vjedhura me anë të përdorimit të forcës duke i thyer dy shtëpi me kaqavidë, andaj nëse të pandehurit do të gjenden në liri ekziston rreziku i ikjes, nga se që të dy të pandehurit janë të njohur për gjykatën si recidivist edhe për shumë raste tjera penale të cilat janë të përfunduara dhe një numër janë në procedurë e sipër, se mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose të falsifikojnë provat e veprës penale, përkatësisht ekzistojnë rrethana të posaçme se të njëjtit do të mund të ndikonin në bashkëpjesëmarrësit e tjetër”, përfundon njoftimin e sajë gjykata duke shtuar se ankesa kundër aktvendimit nuk e shtynë ekzekutimin e tij.