Pamjet kur babai i dy djemve të vrarë në Malishevë shfryn mllefin në Gjykatë

 

“Marri, bre Zoti e qitë fare gjyqtarin e prokurorin”, këto ishin fjalët e para të Tafë Malokut, babait të Shani dhe Bahri Malokut, të vrarë në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Plloqicë të Malishevës.

Gjykata e Gjakovës e ka liruar Besim Malokun nga akuza për vrasjen e dy kushërinjve të tij.

Bahri e Shani Maloku ishin vrarë në mesnatën e 9 marsit 2018 në rrethana tani të paqarta.

Pak kohë më pas për vrasjen e pjesëtarit të FSK-së Shani Maloku dhe vëllait të tij Bahri Maloku ishin arrestuar dy kushërinjtë e tyre, Besim Maloku dhe Blerim Maloku.

Maloku tutje thotë: “Millosha bre! Këtu veç paret kanë lu rol… Dy djem bre mi kanë vra në oborr”.

Gjatë kohës së ai fliste në drejtim të trupit gjykues dhe prokurorit një prej familjarëve të tij mundohej që ta qetësonte.

Në sallë ishin forca të shtuara të Policisë.

Besim Maloku është liruar nga akuza për vrasje, ndërsa është dënuar me 20 muaj burg për armëmbajtje.

I vëllai Blerim Maloku është dënuar me 9 muaj burg për armëmbajtje pa leje.

Mesnatën e 9 marsit 2018 në rrethana tani të paqarta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku u vranë në oborrin e tyre.

Për vrasjen Policia arrestoi dy kushërinjtë e tyre, ndërsa pak muaj më vonë njëri nga ta u akuzua për vrasje, ndërsa tjetri për armëmbajtje pa leje.

Pretendimet e Prokurorisë ishin se dorasit u futën për të vjedhur në shtëpinë e Malokëve, ndërsa pasi u vërejtën ata qëlluan pronarët e shtëpisë gjatë arratisjes.

Tragjedia në familjen Maloku ishte shoqëruar me mjaft reagime publike pasi njëri nga vëllezërit ishte pjesëtar i FSK-së, ndërsa në varrim morën pjesë krerët e shtetit.

Pretendimet e Prokurorisë

Pas hetimeve për vrasjen Prokuroria ngriti aktakuzë me pretendimet se motivi i vrasjes ishte tentativa për të vjedhur.

Viktimat Bahri dhe Shani Maloku, sipas Prokurorisë në natën kritike po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi. Dy vëllezërit e akuzuar asnjëherë nuk e pranuan fajësinë për vrasjen, ndërsa pranuan se kishin armë pa leje.

Aktakuza shpjegonte se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku plumbat kishin qëlluar në cak dhe dy vëllezërit mbetën të vdekur.

Pas vendimit të sotëm të Gjykatës, vrasja e vëllezërve Maloku hyn në mesin e dosjeve ku prokuroria e shtetit nuk arriti të zbulojë dorasin e krimit ndërsa personat e arrestuar lirohen të pafajshëm.

Ndryshe shpallja e aktgjykimit u bë nën masa të rrepta të sigurisë për shkak të tensioneve në mes dy familjeve, tensione këto që ishin vërejtur edhe gjatë procesit gjyqësor.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me gjykimin për vrasjen e dy vëllezërve Maloku nga fshati Plloqicë i komunës së Malishevës – LINK

Emocionet kur të akuzuarit për vrasje në Malishevë lirohen të pafajshëm

.