Pamje të rënda: Grabitësit rrahin punëtorin e pompës së derivateve në Gjakovë

Policia e Rajonit të Gjakovës në një konferencë të mbajtur ditën e sotme ka treguar se ka arrestuar dy persona për tetë raste të grabitjeve të armatosura.

Gjatë arrestimit policia ka konfiskuar edhe armë të cilat dyshohen se janë përdorur nga grabitësit.

KALLXO.com ka siguruar një video-incizim në të cilën shihen dy të dyshuarit për grabitje B. Z, 23 vjeçar, dhe M.Sh, 29 vjeçar, derisa po keqtrajtonin punëtorin e një pompe të benzinës në Gjakovë.

Policia e Rajonit të Gjakovës ka njoftuar se që nga muaji maj i këtij viti kanë ndodhur tetë grabitje të armatosura kryesisht nëpër pompa të derivateve dhe që nga ajo kohë hetuesit rajonal kanë punuar intensisvisht në identifikimin e kryesve të këtyre veprave dhe ndriçimin e rasteve në fjalë.

Gjatë bastisjeve të objekteve të banimit dhe objekteve tjera përcjellëse të personave të dyshuar të realizuara sot në cilësi të provave materiale janë sekuestruar armë dhe prova tjera të cilat do të shërbejnë për ndriçimin e plotë të këtyre rasteve si dhe ndërlidhjen e mundshme të tyre me raste tjera.

Armët e konfirmuara janë: një kallashnikovë, një pushkë gjahu me katër fishekë, një shufër metalike, një pistoletë me një karikator dhe shtatë fishekë, substancë e dyshuar si narkotik si dhe pajisje tjera përcjellëse për përdorimin e narkotikëve, maska, dorëza dhe rroba të ndryshme, një veturë, targa të ndryshme të veturave vjedhura, dy telefona mobil, dy kasaforta, municion dhe dyqind e njëzet e pesë euro para.

Të dyshuarit e arrestuar sipas policisë janë dërguar në mbajtje për 48 orë.