Pamje Ekskluzive: Policia kryen bastisje të reja për Karaçevën
Pajisje për prodhim të kuponëve për lojëra fati, shtëpiza, kompjuterë, armë e drogë janë gjetur gjatë bastisjeve të cilat kanë ndodhur javë më parë në shtëpitë e disa ish- pronarëve të kazinove në Karaçevë.
Në tri lokacione të ndara, një në Ferizaj e dy të tjera në rajonin e Gjilanit, janë arrestuar dy persona ndërsa janë konfiskuar edhe materiale të cilat do të hyjnë në aktakuzë e cila pritet të ngritet së shpejti nga ana e Prokurorisë në Gjilan.
Emisioni “Kallxo Përnime” po transmeton pamje ekskluzive të bastisjeve që ndodhën në shtëpitë e ish-pronarëve të kazinove në Karaçevë.
Këto bastisje u kryen për shkak se ish-pronarët e kazinove nuk i ishin përmbajtur kërkesave apo thirrjeve për paraqitje para organeve të rendit në lidhje me veprat penale që u ngarkohen për organizim të lojërave të fatit në zonën e Karaçevës, zonë kjo e cila u konsiderua e paprekshme nga organet e rendit.
Prokurorja e rastit Rozelida Manastiri në një intervistë për “Kallxo Përnime” ka dhënë detaje të rastit ndërsa ka treguar edhe se çka u konfiskua në ditën e bastisjes.
“Gjatë operacionit të sotëm fillimisht janë arrestu dy persona i treti ende është në arrati. Te njëra shtëpi është gjet një pajisje prej nga janë printuar kuponët për lojëra të bixhotizit, ndërsa te njëra shtëpi përveç kompjuterëve shtëpizave që janë gjetur është konfiskuar edhe një armë dhe lëndë narkotike”, tha ajo.
Madje ajo përmendi se është arrestuar edhe një familjar i njërit nga të kërkuarit i cili kishte deklaruar se merrej me lojëra të fatit.
Në shtëpinë e njërit nga ish-pronarët e kazinove në Karaçevë u gjet një shtëpizë, kompjuter e disa kuponë për lojëra fati. Këto u konfiskuan nga hetuesit policorë e do të jenë pjesë e materialeve të konfiskuara në këtë rast.
Madje në këtë lokacion u arrestua edhe një ish-pronar i njërës nga kazinot që vepronte ilegalisht në fshatin Karaçevë.
Në një lokacion tjetër përveç shtëpizave e kompjuterëve, kuponëve të bixhozit u gjet edhe një armë e edhe lëndë narkotike.
KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për arrestimet dhe konfiskimet të cilat kanë ndodhur në rastin e Karaçevës.
Aksioni në Karaçevë është realizuar në dy faza, atë të parën ku janë arrestuar më shumë se 30 persona për kontrabandë dhe lojëra fati, ndërsa në fazën e dytë janë arrestuar pronarë të fabrikave të mishit dhe mishtoreve në disa lokacione në Kosovë për shkak dyshohet se kishin blerë dhe kishin vënë në prodhim mish i cili ishte nga kafshët e kontrabanduara nga Serbia përmes rrugëve ilegale të fshatit Karaçevë.
Në fakt në aksionin në Karaçevë janë arrestuar mbi 60 persona. Disa nga të arrestuarit janë vetëdorëzuar ditët vijuese pas operacionit.
Pra nga 71 të dyshuar për këtë rast 67 janë arrestuar, 63 janë dërguar në paraburgim, katër janë liruar në procedurë te rregullt ndërsa 4 janë në arrati.
Në këtë aksion të gjerë u arrestuan edhe 12 zyrtarë policorë, njëri nga ta Ferid Leci, i cili sipas dosjes së Prokurorisë figuron se është pronar i objektit kryesor në Karaçevë ku zhvilloheshin lojërat e fatit. Leci përveç se po dyshohet për organizim të lojërave të fatit ai dyshohet edhe për kontrabandim me gjedhe.
Përveç arrestimeve në rastin e Karaçevës në dy faza janë konfiskuar, 252 aparate të lojërave të fatit, 2 roletë të cilët janë shkatërruar në vendin e ngjarjes, 6576 euro para të gatshme, 163,650 dinarë, dy pushkë gjuetie, tri pistoleta, 63 gjedhe, 322 matrikula, 15 shtëpiza të kompjuterëve 9 DVR me video inçizime dhe prova të tjera të cilat do të përdoren në rastin e Karaçevës.
Aksioni në Karaçevë i zhvilluar më 18 shtator të vitit të kaluar erdhi si rezultat i një hetimi më shumë se njëvjeçar.
Të arrestuarit në dy fazat e rastit po dyshohen për veprat penale, organizim të lojërave të fatit, kontrabandë, blerje të kafshëve të kontrabanduara si dhe vënie në prodhim të mishit nga kafshët e kontrabanduara.
Në Karaçevë janë rrënuar edhe 13 objekte të cilat kanë funksionuar për një kohë të gjatë si kazino ilegale.
Në rastin në Karaçevë në fazën e parë kanë marrë pjesë rreth 360 zyrtarë policorë dhe rreth 70 hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës, ndërsa në fazën e dytë rreth 230 zyrtarë policorë dhe mbi 20 hetues të IPK-së.
Emisioni Drejtësia në Kosovë një javë më parë transmetoi edhe pamjet ekskluzive nga konfiskimet e mishit në mishtoret në Gjilan, Prizren, Pejë, Suharekë dhe lokacione të tjera. Gjithashtu gjatë emisionit u shfaqën edhe pamje të mishit të prishur në një nga fabrikat e bastisura.
Sipas Manastirit rasti i Karaçevës është kryer me sukses duke treguar kështu se nga të gjithë personat sa kanë qenë duke u hetuar vetëm 1 është në arrati të tjerë janë arrestuar të gjithë.