Pal Lekajt i kaluan 10 ditët që i kërkoi për ta lexuar aktakuzën në rastin e ‘53 milionëshit’

 

Ish ministri Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri pritet që sot të ulen në bankën e të akuzuarve nën akuzat për korrupsion ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’, në rastin e ‘53 milionëshit’.

Kujtojmë që seanca e fundit nuk ishte mbajtur pasi i akuzuari Pal Lekaj kishte kërkuar dhjetë ditë kohë që ta lexonte aktakuzën që rëndon ndaj tij.

“Nuk m`ka mjaftuar koha se shumë e shkurtë, se mua më duhen konsultimet edhe gjatë leximit të aktakuzës. Më duhen 10 ditë që të deklarohem rreth saj”, deklaroi i akuzuari Pal Lekaj.

Kjo kërkesë ishte aprovuar nga gjykatësja Violeta Namani.

Pal Lekajt dhe të akuzuarve tjerë në rastin e ’53 milionëshit’ u jepet kohë që ta lexojnë aktakuzën

Në fillim të seancës së kaluar mbrojtësi i Pal Lekajt, avokati Musa Damati deklaroi se mbrojtja nuk e ka pranuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.

“Nuk e kemi pranuar aktakuzën e ngritur. Aktakuzën e ka pranuar avokati paraprak Arianit Koci”, tha Damati.

Gjithashtu, avokatët e të akuzuarve të tjerë kishin deklaruar se nuk i kanë pranuar të gjitha shkresat e lëndës nga Prokuroria.

Mbrojtja propozoi që seanca të shtyhet për një datë tjetër në mënyrë që të jenë të gatshëm rreth deklarimit të fajësisë.

Propozimi i mbrojtjes u kundërshtua nga prokuroria, pasi që sipas prokurorisë mbrojtja që nga fillimi është pajisur më të gjitha shkresat e lëndës.

“Prokuroria ka prova që të gjithë të pandehurit janë pajisur me prova. Sa i përket të akuzuarit Pal Lekaj, avokati paraprak Arianit Koci është pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, dhe se i njëjti kur është pajisur ka pasur autorizim për t’a përfaqësuar Pal Lekajn. Nuk është faji tek prokuroria nëse të akuzuarit i ndërrojnë avokatët dhe nuk koordinohen mes veti”, tha prokurori special Valdet Gashi.

 

Në shkurt 2022, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit lidhur me ndërtimin e Autostradës Prishtinë – Han i Elezit.

Në aktakuzë, të cilën KALLXO.com e ka siguruar, Prokuroria Speciale jep detaje për zbatimin e këtij projekti me ç’rast pretendohet se të pandehurit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Pal Lekaj në cilësinë e kryesuesit të Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe ministrit në Ministrisë e Infrastrukturës, së bashku me sekretarin e kësaj Ministrie, Nebih Shatrin dhe drejtorin e Prokurimit Publik, Besim Tahirin, nënshkruajnë marrëveshje me kompaninë “Bechtel & Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë por pa përcaktuar koston financiare.

Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, sipas aktakuzës, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38,321,346.00 euro.

Prokuroria Speciale sqaron se ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje nënshkruajnë një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

“Të pandehurit në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ndërmarrjes „Bechtel & Enka” kanë nënshkruar marrëveshje për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve saktësisht edhe për 347 ditë të tjera, duke mos e përcaktuar koston financiare, veprim ky qe i lë hapur mundësinë “Bechtel & Enkas” që të kërkojë shumën në vlerë prej 63 milionë euro e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Në këtë mënyrë, të pandehurit, sipas Prokurorisë, injorojnë në tërësi opinionin e kompanisë “Hill International”, madje Lekaj thuhet se fare nuk e kishte prezantuar në takimet e Komitetit Ndërministror, të mbajtura për këtë qëllim.

Aktakuza më tej përshkruan se Lekaj dhe Berisha kanë ndërhyrë edhe në opinionin e zyrës ligjore të MI dhe kanë ushtruar presion ndaj drejtorit të Zyrës Ligjore, Avdi Kamerolli, duke e detyruar këtë të fundit që si palë kompetente për dhënien e opinioneve të përcaktojë vetëm Departamentin e Prokurimit në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Pra, nëpërmjet presionit të vazhdueshëm që e ka shkaktuar të Drejtori i Zyrës Ligjore, në mënyrë të qartë vërtetohet dashja, që me çdo kusht, të arrihet deri të qëllimi që kjo pagesë të kryhet, veprime këto që i kanë shkaktuar dëm në shumë prej 38.32 milion Euro, buxhetit të Republikës së Kosovës”, sqarohet në aktakuzë.

Të lartcekurit, sipas Prokurorisë Speciale, i kanë shtyrë anëtarët e Komitetit Ndërministror të cilët të gjendur para një situate të tillë para fakteve të rrejshme, t’i rekomandojnë Qeverisë që të aprovohet kërkesa “Bechtel & Enka” për pagesën e shumës prej 53 milionë e 100 mijë euro në emër të shtyrjes së afatit të përfundimit të punimeve.

Më këto veprime të pandehurit Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri (i cili tani për tani është i paqasshëm për Prokurorinë) ngarkohen se  në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Por, të gjitha këto pretendime të pandehurit i kanë mohuar.

Sipas Pal Lekajt, kontrata ishte nënshkruar nga Qeveria e mëparshme. Gjithashtu, ai ka potencuar se i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura, mirëpo problemet me projektin ishin shfaqur si rezultat i vonesave të pagesave nga ana e Qeverisë.

Edhe të pandehurit Nebih Shatri dhe Eset Berisha kanë mohuar faktin e kryerjes së veprës penale.

Nebih Shtari, përpara Prokurorisë ka deklaruar se ai e kishte nënshkruar marrëveshjen mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe “Bechtel&Enkas” për zgjatjen e afatit si dhe kjo marrëveshje, sipas Shatrit, nuk kishte përmbajtur koston financiare.

Mirëpo, Shatri është mbrojtur duke thënë se marrëveshjen e ka nënshkruar duke pasur besim të plotë te ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.

Ndërkaq, Eset Berisha, në Prokurori ka deklaruar se në kohën e zbatimit të projektit të ndërtimit të autostradës, ai kishte qenë këshilltar i ministrit Pal Lekaj. Në këtë mënyrë përveç këshillimit ai nuk kishte pasur detyra dhe përgjegjësi në këtë projekt.