Seanca ndaj Pal Lekajt, i akuzuar për gazin lotsjellës - FOTO KALLXO

Pal Lekaj në Gjykatë, çfarë deklaronte ai në 2015-të për gazin lotsjellës

Pal Lekaj, i akuzuar për rastin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015-të është ulur sot në bankën e të akuzuarit.

Lekaj po akuzohet nga Prokuroria se në hollin e Kuvendit ka përdorur gazin lotsjellës në mënyrë kërcënuese të cilin e ka hedhur me qëllim të pengimit të punës së deputetëve.

Seanca ndaj Pal Lekajt, i akuzuar për gazin lotsjellës – FOTO KALLXO

Prokuroria po e ngarkon ish ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, aktualisht deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK për veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Sipas Prokurorisë pas hedhjes së gazit nga i akuzuari Pal Lekaj seanca ishte ndërprerë për disa minuta për shkak të kontaminimit të ambientit dhe më pas deputetët ishin detyruar të largoheshin nga holli dhe Kuvendi i Kosovës.

Seanca e shqyrtimit fillestar e caktuar më dt. 29 mars 2023, kishte dështuar të mbahej si pasojë e mungesës së Pal Lekaj dhe mbrojtësit të tij Arianit Koci, i cili paraprakisht e kishte dërguar kërkesën për shtyrje të seancës, pasi që i njëjti gjendej në udhëtim jashtë vendit.

Në seancën e së enjtes (18.05.2023) mbrojtësi i ri i autorizuar nga pala, Musa Damati, para leximit të aktakuzës deklaroi se nuk i kanë pranuar shkresat përbërëse të lëndës përveç kopjes së aktakuzës andaj deklaroi se mungojnë kushtet për mbajtjen e seancës së sotme.

Gjithashtu avokati Damati tha se i mbrojturi i tij ia ka dhënë autorizimin sot më 18 maj 2023, dhe se nuk ka pasur mundësi që ta bëjë shkresën, gjegjësisht kërkesën për pajisjen me shkresat e lëndës.

Meqenëse i pandehuri dhe mbrojtësi nuk janë pajisur me shkresat e lëndës dhe Prokuroria e Shtetit deklaroi se nuk ka prova se të njëjtëve iu është bërë dorëzimi i shkresave të lëndës, gjykata solli aktvendim që seanca e sotme të ndërpritet dhe e njëjta të shtyhet deri në një datë të pacaktuar.

Gjykata njoftoi se seanca shtyhet për afat të pacaktuar, derisa Prokuroria e Shtetit ta pajisë të pandehurin dhe mbrojtësin e tij më të gjitha shkresat e lëndës që të mund të deklarohet më pas në seancën e shqyrtimit fillestar lidhur me aktakuzën.

Gjykata obligoi Prokurorinë e Shtetit që brenda afatit ligjor t`ia dorëzojë palës së akuzuar të gjitha shkresat e lëndës.

Kujtojmë se Pal Lekaj, pati deklaruar më 14.12.2015 se opozita në atë kohë ka gaz të mjaftueshëm për të hedhur sa herë që Kuvendi do të provojë të mblidhet.

“Kemi gaz të mjaftueshëm sa herë që të mblidhet seanca… Nuk është me rëndësi kush e ka hedhur gazin. E tërë opozita ka hedhur gaz”, kishte deklaruar Lekaj pas ndërprerjes së seancës si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës.

Ai pati deklaruar se opozita është “e vendosur” të mos ndryshojë kursin në kundërshtimin e marrëveshjeve të kontestuara.

“Ne si opozitë jemi të vendosur të vazhdojmë me protesta, aktivitete por edhe me veprime në Kuvend. Këto marrëveshje e krijojnë një minishtet të Serbisë brenda Kosovës”, kishte deklaruar Lekaj, deputet i AAK-së.

Pal Lekaj: Kemi Gaz të Mjaftueshëm