Pal Lekaj dhe të tjerët lirohen nga akuza për korrupsion (VIDEO)

Ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj; ish-drejtori i Bujqësisë, Ismet Isufi; ish-zyrtari financiar, Gani Rama dhe biznesmeni Veli Hajdaraga janë liruar nga akuzat në rastin e shpërndarjes së subvencioneve gjatë periudhës 2008-2014 në Gjakovë.

Në mungesë të provave ata u shpallën të pafajshëm sot nga trupi gjykues i Gjykatës së Gjakovës, me kryetar Shaqir Zikën dhe anëtarët, Mentor Bajraktarin e Besarta Dolin.

Ish-kryetari, Pal Lekaj së bashku me ish-drejtorin e Bujqësisë, Ismet Isufi dhe ish-zyrtarin financiar, Gani Rama nga Prokuroria Speciale akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërkaq Veli Hajdaraga u akuzua për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Në arsyetimin e dhënë, gjykatësi Zika tha se pas analizimit të provave dhe ekspertizës, trupi gjykues deklaron se nuk është vertetetuar se të njëjtit i kanë kryer veprat penale me të cilat akuzoheshin.

Po ashtu, pas ekpertizave të bëra nuk është arritur të vërtetohet se është dëmtuar Komuna e Gjakovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj dhe drejtori për Bujqësi, Ismet Isufi akuzoheshin se gjatë periudhës 2008-2014 në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike kanë shpërndarë subvencione përmes kompanisë “UNION-VL”.

“Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”,  thuhet ndër të tjerash në aktakuzë.

Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL” apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786 euro.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit gjithashtu kanë tejkaluar edhe kompetencat ligjore pasi përveç fondit për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm rreth 250 mijë euro.

Pos Lekajt dhe Isufit, i përfshirë në aktakuzë është edhe Gani Rama, i cili ngarkohet për keqpërdorim të 218 mijë eurove nga shpërndarja e subvencioneve.

Sipas Speciales Rama “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT ‘Union-Vl’, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve”.

Kurse, Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës gjatë periudhës 2008-2015, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre.

I njëjti, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezantuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, respektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35,550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

Kjo çështje ka qenë në rigjykim ku më 19 shkurt 2021, Pal Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë ishin dënuar nga Gjykata e Gjakovës, mirëpo më 23 gusht 2021 Apeli e ka prishur vendimin e Gjykatës Themelore dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në vitin 2018.

Ky rast është shënjestruar për liberalizim të vizave.

Prokuroria Speciale kërkon dënimin e Pal Lekajt dhe të tjerëve

Dënime me kusht dhe ato plotësuese për Lekajn dhe grupin, për veprimet e periudhës 2008-2014