Foto: KALLXO.com

Pajtohen Milaim Zeka e Frashër Krasniqi

Hynë dhe dolën së bashku nga Zyrës e Ndërmjetësimit.

Ish-deputetët e Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka dhe Frashër Krasniqi, ishin përfshirë në një rrahje gjatë një emisioni të drejtpërdrejtë televiziv 2 vite më parë.

Sot, ata u paraqitën para Gjykatës, njëri i akuzuar për lëndim të lehtë trupor e tjetri për kanosje.

Gjykatësi Hanefi Jashari i informoi të akuzuarit se çështjen mund ta zgjidhin me ndërmjetësim.

Frashër Krasniqi, ish-deputet i Partisë Socialdemokrate, e pranoi fajësinë për lëndim të lehtë trupor.

Ndërsa Milaim Zeka, ish-deputet i Nismës Socialdemokrate tha se nuk ndihet fajtor.

Më pas dy të akuzuarit pranuan që çështjen penale ta zgjidhin përmes ndërmjetësimit.

Kundërshtime nuk pati as nga prokurori i rastit, Fatmir Behrami i cili u pajtua me këtë vendim.

Procedura e ndërmjetësimit filloi menjëherë pas mbarimit të seancës gjyqësore, teksa Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka nën shoqërinë e njëri tjetrit dhe të relaksuar u panë teksa hynin në objektin ku do të mbahej seanca.

Madje, në hyrje të objektit, Frashër Krasniqi i dha përparësi Milaim Zekës.

Pas përfundimit të seancës, për media u deklarua vetëm Milaim Zeka i cili tha se e kanë arritur marrëveshjen e ndërmjetësimit dhe janë pajtuar me Frashër Krasniqin.

“Të pajtuar kemi qenë, kjo ka qenë një procedurë normale juridike, nuk ka pas kurgjo, ka ndodh në një moment të caktuar në një kohë të caktuar”, tha Milaim Zeka.

Milaim Zeka për KALLXO.com deklaroi se çfarë ka ndodhur mes deputetëve mund të ndodhë edhe në mes të familjarëve.

“As një send në jetë nuk harrohet, ne kemi qenë kolegë në Parlament, unë kam shprehur keqardhje edhe kur është dënuar Frashëri atëherë, nuk jam njeri hakmarrës. Ka ndodhur në një moment të caktuar në një kohë të caktuar, që njeriu mundet me i ra vllaut, motrës, nanës, babës.

“Ka qenë vi politike dhe ka qenë strategji e Vetëvendosjes në atë kohë që ajo strategji e ka sjellë deri të përçarja dhe e kanë pa që ka qenë rrugë e gabuar”, u shpreh Milaim Zeka.

Madje Milaim Zeka shprehu keqardhje duke shtuar se kjo që ka ndodhur më e rëndë ka qenë për Krasniqin se sa për të.

“Sinqerisht mua më vjen keq, e kam thënë edhe atëherë, Frashëri më ka rënë mua, unë mundem me kanë prindi i tina, unë mendoj se ma rëndë është për Frashërin se sa për mua”, deklaroi Milaim Zeka.

Aktakuza ndaj dy deputetëve përshkruan se  më 29 shtator 2017 përleshja fizike ndaj dy të akuzuarve kishte ndodhur gjatë emisionit “Info Magazine”, gjatë transmetimit të drejtpërdrejt në Klan Kosova.

Pas fyerjeve e sharjeve në mes të Krasniqit e Zekës, situata kishte eskaluar në përleshje fizike mes tyre. Prokuroria e Prishtinës e akuzonte Frashër Krasniqin për lëndim të lehtë trupor ndërsa Milaim Zekën për kanosje.