Paditet Policia e Kosovës për refuzim të pensionit të policit të vdekur nga Covid-19

Pas refuzimit të ankesës për kërkimin e pensionit të policit Ilir Gjokaj, prej 80% të pages për familjarët e tij, përfaqësuesi i familjes, avokati Meshari Selimaj ka paditur Policinë e Kosovës- Komisonin për ankesa dhe Shpërblime.

Sipas padisë, familja e tani të ndjerit, përkatësisht bashkëshortja dhe fëmijët e Ilir Gjokajt, pretendojnë se nuk ka qenë i drejtë kategorizimi i vdekjes së tij si “vdekje në detyrë”, pasi që vdekja e tij ka ardhur si pasojë e infektimit me Covid-19, do të thotë se i njëjti infeksionin e ka marrë në kryerje të detyrave policore prej orarit 12 orësh.

Në padi thuhet se si pasojë edhe disa nga familjarët e tij ishin infektuar me Covid-19, e që ish-polici kishte qenë shpërndarësi apo bartësi i virusit në familje.

Përmes kësaj padie, përfaqësuesi ligjor i familjes avokati Meshari Selimaj kërkon nga Gjykata e Gjakovës që të aprovohet kjo kërkesë padi dhe të ndryshohet vendimi i Komisonit për Ankesa i Policisë së Kosovës, në mënyrë që familjarëve të tij t’u njihet e drejta në pension prej 80% të pagës dhe jo prej 60% të pagës.

Poashtu, ushtruesit e kësaj padie kanë kërkuar që të obligohet e paditura Policia e Kosovës t`ia kompenzoj shpenzimet kontestimore nga dita e pranimit të aktgjykimit, në afat prej 15 ditësh e nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Komisioni për ankesa i Policisë së Kosovës, kishte refuzuar ankesën e avokatit Meshari Selimaj, për kërkimin e 80% të pagës për familjen e ish-policit Ilir Gjokaj. Selimaj kishte paralajmëruar padi ndaj Policisë së Kosovës, për kërkimin e të drejtës në pension.

Në muajin korrik të këtij vitit KALLXO.com kishte raportuar se polici nga Gjakova, Ilir Gjokaj vdiq pasi u diagnostifikua me coronavirus.

Pas vdekjes së tij, Policia e Kosovës kishte marrë vendim dhe vdekjen e zyrtarit policor e kishte kategorizuar si “vdekje në detyrë”.

Sipas Ligjit për Policinë e Kosovës, ky kategorizim i zyrtarit policor”Vdekje në Detyrë” nënkupton se bashkëshortja e tani të ndjerit dhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare, kanë të drejtën në pension familjar deri në vlerën 60% të pagës bruto.

Mirëpo, familjarët të ndjerit, kishin kërkuar që sipas Ligjit për Policinë e Kosovës i ndjeri të kategorizohet si “I vdekur në kryerje të detyrës”, që nënkupton se ata kanë të drejtën në pension familjar deri në vlerën 80% të pagës bruto.

Kundër këtij kategorizimi, familja e tani të ndjerit, përmes përfaqësuesit të tyre avokatit Meshari Selimaj, e kishte kundërshtuar me ankesë, e cila ankesë është refuzuar si e pa bazuar nga Komisioni për Ankesa i Policisë së Kosovës.

Përmes kësaj ankese, ishte kërkuar që Komisoni për Ankesa dhe Shpërblime i Policisë së Kosovës në Prishtinë, ta ndryshoj vendimin e Komisionit për Përcaktimin e Kategorisë së Vdekjes së zyrtarit policor në detyrë apo në kryerjen të detyrës, duke i njohur të drejtën në pension familjar bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij të mitur, pra familjes së ngushtë të të ndjerit, i vdekur në kryerjen e detyrës zyrtare.

Për vdekjen e policit Ilir Gjokaj, pas dyshimit të familjarëve Prokuroria ka hapur një hetim penal për të zbardhur dyshimet se ai nuk kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor.

KALLXO.com kishte mësuar se hetimet janë hapur dhe se dyshimet janë në një bocë të oksigjenit, e cila nuk kishte funksionuar gjatë transportit të policit. Zyrtari policor i Njësisë së Reagimit të Shpejtë- Ilir Gjokaj kishte vdekur si pasojë e infektimit me Coronavirus.

Ai fillimisht ishte shtrirë në Spitalin e Gjakovës, mirëpo pas përkeqësimit të gjendjes së tij ishte transferuar në Klinikën Infektive në QKUK, ku edhe kishte vdekur.

Policia e kishte konfirmuar edhe hapjen e hetimeve për “trajtim të papërgjegjshëm mjekësor”.

Këtë rast po e hetojnë Sektori i Hetimeve Rajonale në bashkëpunim me Prokurorinë.