Besnik Berisha, avokat i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt

OAK thotë se nuk ka shkelje në veprimet e avokatit Besnik Berisha, refuzon t’i caktojë avokat tjetër Shaban Gogajt

Zyra e Prokurorit Disiplinor e Odës së Avokatëve të Kosovës përmes një vendimi, ka konstatuar se nuk ka shkelje në veprimet e avokatit Besnik Berisha që është avokat i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasje.

Po ashtu në vendim thuhet se mbetet në fuqi vendimi paraprak për mos caktimin e një avokati tjetër sipas detyrës zyrtare për të pandehurin Gogaj.

Besnik Berisha nga Gjykata e Pejës ishte përjashtuar nga e drejta për të mbrojtur klientin e tij në këtë rast.

“Më datë 01.09.2021 sipas vendimit nr.76-8/2021, Zyra e Prokurorit Disiplinor e Odës së Avokatëve të Kosovës, kishte pushuar procedurën penale të filluar ndaj avokatit Besnik Berisha sepse nga provat e administruara nuk është vërtetuar që i njëjti të këtë kryer shkelje disiplinore të përcaktuara me normativen e OAK-së”, thuhet në vendimin e OAK-së.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Pasi Gjykata e Apelit kishte kthyer në rivendosje vendimin për gjobën e shqiptuar ndaj avokatit Besnik Berisha, Gjykata e Pejës ka marrë vendim duke i shqiptuar Berishës gjobë prej 500 eurove lidhur me procesin gjyqësor të Shaban Gogajt.

Besnik Berisha ishte përjashtuar nga e drejta për të mbrojtur Shaban Gogajn.

Ky vendim i gjykatës kishte ardhur pasi atij i ishte shqiptuar nga ana e gjykatës gjoba prej 500 eurove.

Ndaj vendimit për gjobë të gjykatës në Pejë ankesë kishte parashtruar avokati Berisha.

Gjykata e Apelit duke aprovuar ankesën e Besnik Berishës kishte kthyer në rivendosje vendimin për shqiptimin e gjobës ndaj tij në çështjen penale ndaj Shaban Gogajt.

Ndërsa Gjykata në Pejë përsëri ka marrë vendim për shqiptimin e gjobës ndaj avokatit Berisha.

“Gjerë të vendimi mbi dënimin me gjobë të avokatit Besnik Berisha në seancë e datës.28.06.2021, kryetarja e trupit gjykues ka ardhur duke u bazuar në dispozitën e nenit 302 par.1 të KPRK-së, pasi që i njëjti ka prishur rendin dhe qetësinë  në gjykatë disa herë, i është tërhequr vërejtja dhe serish ka vazhduar me prishje të rendit”, thuhet në arsyetim të vendimit të gjykatës në Pejë.

Sipas gjykatës së Pejë, prishja e rendit në gjykatë nga avokati Berisha vërtetohet nga procesverbali i shqyrtimit gjyqësor të seancës kur është marrë vendimi për përjashtim, aga video-inçizimi i të njëjtës seancë dhe nga procesverbalet e tjera të shqyrtimit gjyqësor.

“Pra siç rrjedhe nga të lartcekurat mbrojtësi ka prishur rendin dhe qetësinë në gjykatë disa herë gjatë shqyrtimit gjyqësor kur i drejtohet kryetares se trupit gjykues: “e pa denjë për të udhëhequr këtë shqyrtim gjyqësor”, “paragjykues të çështjes”, pastaj kur bënë komente merr fjalën pa lejen e gjykatës, kur i drejtohet dëshmitarit se “keni dal atje si kozmetik” dhe për secilin rast kryetarja e trupit gjykues i ka tërhequr vërejtjen, e po ashtu është njoftuar për pasojat…. i njëjti sërish komenton dhe ndaj trupit gjykues i drejtohet me fjalët se “e keni paragjykuar çështjen”, thuhet në vendimin e gjykatës.

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë se kryetari i Gjykatës së Pejës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares Violeta Husaj- Rugova.