Nuredin Ibishi, Deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK

Nuredin Ibishi ftohet nga Specialja

Në listën e ftesave për intervistim nga Gjykata Speciale, ftesë ka marrë edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Nuredin Ibishi .

Lajmin e ka konfirmuar  kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës , Hysni Gucati, i cili ka thënë që të gjithë të ftuarit do të dalin faqebardhë.

“Sapo mora lajmin se Gjykata Speciale ka dërguar ftesë për bashkëluftëtarin Nuredin Ibishi – Leka, i cili gjatë kohës së luftës ishte epror në Zonën Operative të Llapit. Edhe ky, si të gjithë të ftuarit tjerë, do të dalin faqebardhë”, ka shkruar Gucati në Facebook.

Gjatë kohës së luftës në Kosovës, Ibishi ishte epror në Zonën Operative të Llapit. Ndërsa pas luftës Ibishi ka qenë ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, që nga dhjetori i vitit 2018 e deri më tash, sipas të dhënave të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka intervistuar rreth 100 persona, duke përfshirë edhe kryeministrin në largim Ramush Haradinaj i cili pikërisht për shkak të kësaj ftese ka dhënë dorëheqje.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.