Foto: Kallxo.com

Nuk nis rigjykimi për punët e pakryera në komunën e Vitisë, i akuzuari në Zvicër

Në Gjykatën e Gjilanit ka dështuar të nisë rigjykimi ndaj Florim Ramës, Valdet Xoxës dhe Sami Mjakut, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrimit në detyrë.

Shkak për dështimin e seancës ishte mungesa e të akuzuarit Sami Mjaku.

Avokatja Blerina Dërmaku deklaroi se i mbrojturi i saj, Sami Mjaku gjendet në Zvicër për arsye familjare dhe nuk mund të jetë në seancën e sotme.

“I propozoj gjykatës që mundësisht kjo seancë të shtyhet në fund të muajit dhjetor, pasi që i mbrojturi im ka premtuar se atëherë do të jetë në Kosovë dhe do të marrë pjesë në seancë”, tha avokatja Dërmaku.

Të gjitha palët në procedurë nuk e kundërshtuan propozimin e avokates për shtyrjen e seancës gjyqësore.

Kryetari i trupit gjykues Agim Ademi tha se pasi që avokatja e të akuzuarit e ka arsyetuar mungesën e tij, seanca e sotme shtyhet për muajin dhjetor.

Prokuroria në Gjilan e akuzon Florim Ramën se në cilësinë e menaxherit për mbikëqyrje të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë së bashku me të akuzuarin tjetër Valdet Xoxa, i cili ishte drejtor i konsorciumit “Kapital X & Kapital” nga Prishtina, kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Kompania e Xoxës, në vitin 2016, ishte kontraktuar nga komuna e Vitisë për mbikëqyrjen profesionale të projekteve kapitale.

Sipas aktakuzës, Florim Rama e kishte firmosur një raport të Valdet Xoxës rreth një projekti të komunës së Vitisë edhe pse të dytë e kishin ditur se kompania e ngarkuar për atë projekt nuk e kishte kryer punën.

Ky nënshkrim e kishte obliguar komunën e Vitisë që t’ia bënte pagesën prej mbi 63 mijë euro kompanisë “Ylli Dekor” në pronësi të të akuzuarit të tretë Sami Mjaku.

Tutje sipas aktakuzës, Sami Mjaku kishte bërë prezantim të rremë të faturave kinse për punët e kryera duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej mbi 5 mijë euro.

Gjykata e Gjilanit në maj të këtij viti i kishte liruar të akuzuarit në mungesë të provave por në shtator, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, duke pretenduar se Aktgjykimi i shkallës së parë është i paqëndrueshëm dhe në kundërshtim me brendinë e tij.

Apeli kishte thënë se Gjykata e shkalles së parë nuk ka paraqitur në mënyrë të qartë se cilat fakte dhe për çfarë arsye i konsideron të vërtetuara apo të pavërtetuara.

Tutje sipas vendimit të apelit, aktgjykimi i shkalles së parë përmban shkelje të dispozitave procedurale dhe të njëjtit në arsyetim nuk i është dhënë analizë e qartë e fakteve vendimtare.