Foto: KALLXO.com

Nuk ndihen fajtorë inspektorët e akuzuar për lejim të ndërtimeve pa leje në Prevallë

Inspektorët Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi, Ruzhdi Daka dhe Bedri Halimi, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, thanë në Gjykatën e Prishtinës se nuk ndihen fajtorë për akuzat që u vihen në barrë.

Pasi prokurorja e çështjes, Merita Bina Rugova, e lexoi aktakuzën, të akuzuarve iu dha mundësia të deklarohen lidhur me fajësinë.

Të pesë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Ata po akuzohen se kanë lejuar ndërtimin pa leje të qindra objekteve në Prevallë.

Meqenëse të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë, kryetarja e trupit gjykyes, gjyqtarja Shadije Gërguri i njoftoi të njëjtit lidhur me të drejtën e tyre për të paraqitur kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në afatin e paraparë ligjor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka, si inspektorë të ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës, përgjegjës për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional të lartcekur, në periudhën kohore nga 22.6.2006, kur Kuvendi Komunal në Prizren e ka miratuar Planin e Përkohshëm Rregullues Urban për atë zonë, deri më datë 3.5.2013, kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me vendim ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare konform Ligjit për ndërtimin.

Akti akuzues thotë se të pandehurit as nuk e kanë bërë mbikëqyrjen inspektuese të ndërtimeve, nuk kanë urdhëruar pezullimin e ndërtimit dhe nuk i kanë iniciuar procedurat e parapara me ligj.

Sipas aktakuzës, gjatë këtyre 7 viteve, ata kanë lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje.

“Dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar degradimin e mjedisit në masë të madhe, kurse secilit pronarë të objektit të ndërtuar pa leje i’u kanë mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë mesatare prej 10.500 euro”, thuhet në aktakuzë.

Me këtë, sipas Prokurorisë Speciale, secili, veç e veç, ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi.

Ndërsa për Bedri Halimin, sipas aktit akuzues thuhet se duke punuar si kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me vendimin e ministrit të Ministrisë së Mjedisit të vitit 2013 me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda planit rregullues në Parkun Nacional.

Sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza dhe në fazën e parë ka rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim janë zbatuar vetëm 20, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 janë revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse fazën e katërt fare nuk është implementuar, ashtu që nga data 14.12.2013 e deri sot nuk ka zbatuar asnjë prej vendimeve edhe pse ende janë në fuqi.

Me këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale -keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Ky shqyrtim fillestar kishte dështuar të mbahet këtë të hënë, pasi që i akuzuari Bedri Halimi kishte munguar, sipas njoftimit nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Shadije Gërguri.

Dalin para gjyqit inspektorët e akuzuar se lejuan ndërtime pa leje në Prevallë

www.kallxo.com