Foto: Kallxo.com

Nuk mbahet seanca ndaj të akuzuarve për vjedhje të të dhënave bankare

Në Gjykatën e Gjilanit ka dështuar të mbahet seanca për hyrje në sistemet kompjuterike dhe falsifikim të letrave me vlerë.

Kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi tha se ftesës për seancë nuk iu kanë përgjigjur dëshmitarët dhe eksperti.

Ndërsa prokurori i rastit, Arben Kadriu, i propozoi gjykatës që të heqë dorë nga dëgjimi i ekspertit për shkak të mungesës së tij.

“Raporti nga Drejtoria e Teknikes Kriminalistike është i saktë dhe i qartë dhe i njëjti është analizuar edhe nga eksperti i IT-së në Fakultetin Teknik në Prishtinë”, tha prokurori Arben Kadriu.

Por kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi tha se është e nevojshme dëgjimi i dëshmitarëve, andaj në konsultim me palët e tjera në procedurë vendosi që seanca e sotme të shtyhet për muajin janar të vitit 2020.

Edhe avokatët dhe të akuzuarit nuk patën vërejtje lidhur me shtyrjen e seancës, pasi që edhe ata konsideruan se është e domosdoshme dëgjimi i dëshmitarëve dhe ekspertit nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike.

Sipas Prokurorisë, Liridon Isufi, Lavdim Mjekiqi dhe Lum Shkodra, akuzohen se nga viti 2007 e deri në gusht të vitit 2015, kanë ndërhyrë në mënyrë të pa autorizuar në kompjuter të shfrytëzuesve të internetit, duke kopjuar dhe vjedhur të dhëna të ndjeshme (të dhëna për llogari bankare). Ata akuzohen se nga këto aktivitete kanë përfituar shumën prej mbi 73.000 euro.

Po sipas aktakuzës, të akuzuarit gjatë periudhës së njëjtë kohore kanë kopjuar të dhënat e kartelave bankare “përmes programeve keqbërëse” duke bërë tregti të të dhënave personale në forma të ndryshme.

Aktakuza thotë gjithashtu se i akuzuari Liridon Isufi prej vitit 2011 e deri ne vitin 2014, nëpërmes biznesit të tij ka bërë shmangie të tatimit në shumën prej mbi 8.000 euro.