Nuk kalon propozimi për shkarkimin e kryetarit dhe nënkryetarit të OAK-së

Në mes të shumë përplasjesh e zhvillimesh interesante ka përfunduar punimet Kuvendi i Rregullt i Odës së Avokatëve të Kosovës.

Kuvendi i cili i filloi punimet në orën 10:00 të mëngjesit, mezi arriti që punimet t’i përmbyll vetëm pas orës 17:00.

Përkundër përplasjeve e akuzave të ndryshme për keq menaxhim e keqpërdorim të mjeteve financiare në drejtim të udhëheqësisë së OAK-së, ky kuvend arriti të miratoj këto pika të rendit të ditës: Procesverbalin e Kuvendit të OAK-së të marsit 2020; Raportimin e aktiviteteve të OAK-së për vitin 2020; Shqyrtimin e Raportit të Këshillit Mbikëqyrës të OAK-së për vitin 2020; Shqyrtimin e Raportit të Auditimit Financiar për vitin 2020 si dhe Shqyrtimin e Propozim Buxhetit të OAK-së për vitin 2021.

Ndërsa sa i përket propozimit për shkarkimin e kryetarit dhe nënkryetarit të OAK-së, Behar Ejupi e Naim Rudari, ky propozim nuk kaloi.

Pasi që vendimi lidhur me këtë pikë të rendit të ditës u vendos që të merret me vota të hapura, në shenjë revolte disa nga delegatët e pranishëm në sallë në mesin e të cilëve ishin ata që e propozuan këtë pikë, e lëshuan sallën.

Më pas votimi lidhur me këtë pikë, vijoi me të pranishmit të cilët qëndruan në sallë, dhe me rastin e votimit asnjë nga delegatët e pranishëm nuk votuan për kalimin e kësaj pike, me ç’rast një vendim i tillë nuk kaloi.

https://kallxo.com/ligji/perplasje-ne-kuvendin-e-oak-anetaret-e-kryesise-se-punes-e-leshojne-sallen/

Me votimin lidhur me këtë pikë, Kuvendi i përfundoi punimet dhe e shpalli të mbyllur Kuvendin e Rregullt.

KALLXO.com e ka përcjellë live konferencën dhe ka raportuar gjatë gjithë ditës për zhvillimet e këtij kuvendi.