Nuhi Mavrovqani pranon në gjykatë se vrau gruan me shufër metalike, por thotë se e bëri pa qëllim

 

I akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Nuhi Mavrovqani, ka pranuar fajësinë para Gjykatësit në Gjilan, ku është përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me veprën penale të vrasjes së rëndë.

Ndonëse e ka pranuar fajësinë për vrasje, ai tha që atë nuk e ka bërë me dashje.

“E pranoj fajësinë pasi jam fajtorë, por nuk e pranoj fajësinë ashtu si thuhet në aktakuzë pasi veprën nuk e kam kryer me dashje”, tha i akuzuari Mavrovqani.

Pranimi i tillë i fajësisë nga i akuzuari, u refuzua nga trupi Gjykues, meqë sipas Kodit të Procedurës Penale, nuk mund të bëhet pranim i pjesshëm i fajësisë, por vetëm ashtu siç përshkruhet në aktakuzë.

Seanca e sotme do të vazhdohet më 30 shtator ku do të ipet fjala përfundimtare e palëve.

Mavrovqani nga Prokuroria e Gjilanit po akuzohet se me mjete të forta e ka vrarë gruan e tij.

Më 4 dhjetor të vitit të kaluar, Mavrovqani, për vrasjen e gruas, ishte dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Gjykata e Apelit e kishte prishur atë vendim duke e kthyer rastin në rigjykim.

Në seancën e sotme, ekspertja e psikiatrisë Valbona Blakaj, tha se Mavrovqani është ekzaminuar në mënyrë spitalore nga tre ekspertë.

“Dy psikiatër dhe një psikolog”, tha ajo, duke shtuar se gjatë ekzaminimit psikiatrik është marr për ekzaminim CT, EG, analizat laboratorike, raporti psikologjik dhe të gjitha shkresat e lëndës.

“Të gjitha këto janë përfshirë në ekspertizën e grupit të ekspertëve”, tha Blakaj e cila tha se sqarime shtesë lidhur me ekspertizën i ka dorëzuar me shkrim në Gjykatë.

Në vazhdim, në cilësinë e dëshmitares u dëgjua Fahrije Mavrovqani, e cila të akuzuarin Nuhi Mavrovqani e ka vëlla. Ajo tha se raportet mes vëllaut të saj dhe të ndjerës kanë qenë të mira.

“Sa e di unë raportet mes Nuhiut dhe të ndjerës kanë qenë të mira. Para se me ndodh ngjarja unë nuk kam pasur asnjë kontakt me Nuhiun. Unë raportet edhe me Nuhiun edhe me të ndjerën i kam pasur të mira. Asnjëherë, askush nuk e ka përmendur se ata kanë raporte jo të mira, po ashtu edhe familja e të ndjerës kanë qenë tek Nuhiu, por jo aq shpesh. Nuhiu gjithmonë ka qenë nervoz nga pak, por gjithsesi është sjellë mirë me neve”, tha dëshmitarja Mavrovqani.

Sipas Dosjes së Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari i kishte shkaktuar bashkëshortes së tij plagë të hapura vdekjeprurëse dhe thyerje në anën e majtë të kokës.

Sipas Prokurorisë, Nuhi Mavrovqani e kishte goditur bashkëshorten me shufër metalike fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa kishte vazhduar duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike.

Për këto akuza, Mavrovqani në muajin dhjetor të vitit të kaluar ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Zyhdi Haziri.

Tani pasi rasti është kthyer në rigjykim dhe gjykatësi Haziri ka kaluar në Gjykatën e Apelit, lënda gjykohet nga gjykatësi Sabedin Mushica dhe aktakuza përfaqësohet nga Prokurori Shaban Spahiu.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Pas anulimit të burgimit të përjetshëm, nis rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë