Foto: Kallxo.com

Nuhi Mavrovqani e pranon pjesërisht fajësinë për vrasjen e gruas në Kamenicë, por gjykata e refuzon

Nuhi Mavrovqani, i akuzuar se e ka vrarë gruan e tije në Kamenicë, sot ka dala para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me aktakuzën e Prokurorisë së Gjilanit.

Në seancën e sotme e cila ishte fillestare, pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Arben Ismajli, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë.

“E pranoj fajësinë për veprën penale me të cilën më ngarkon Prokuroria. Nuk jam i shtrënguar nga askush për të pranuar fajësinë. Fajësinë e pranoj sepse e ndiej veten shumë fajtor për veprën që e kam kryer. Veprën nuk e kam kryer me dashje, në ato momente kur ka ndodh problemi, e ndjera më ka goditur dhe unë e kam humbur kontrollën”, tha i akuzuari Mavrovqani.

Tutje në seancë Prokurori Arben Ismajli pati vërejtje për pranimin e fajësisë.

“I akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë ashtu si e akuzon Prokuroria pasi që i akuzuari veprën e ka kryer me dashje e jo nga pakujdesia”, tha Prokurori Ismajli.

Gjykatësi Zyhdi Haziri tha se e refuzon pranimin e fajësinë nga i akuzuari.

“Gjykata nuk e pranon këtë pranim të pjesshëm të fajësisë nga i akuzuari. Fajësia pranohet ose ashtu si është në aktakuzë ose nuk pranohet fare”, tha shkurt gjykatësi Haziri.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari i ka shkaktuar bashkëshortes së tij plagë të hapura vdekjeprurëse dhe thyerje në anën e majtë të kokës.

Tutje sipas Prokurorisë, Nuhi Mavrovqani veprën penale e ka kryer duke e goditur bashkëshorten e tij me shufër metalike fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa kishte vazhduar duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike.

Seanca e sotme u shty më 30 tetor për t’i dhënë mundësi të akuzuarit të bëjë kundërshtimin e aktakuzës.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.