Foto: KALLXO.com

Noterët ende pa qasje në regjistrat civil të të dhënave të qytetarëve

Tre vite më parë Agjencia për Regjistrim Civil (ARC) e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Oda e Noterëve e Republikës së Kosovës nënshkruan një marrëveshje për shkëmbim të të dhënave.

Me anë të kësaj marrëveshje parashihej që Odës së Noterëve të Kosovës t’i ofrohej qasje në regjistrat civil të të dhënave elektronike të qytetarëve.

Qysh në vitin 2016 BIRN-i përmes një raporti për të drejtat pronësore të grave, kishte rekomanduar që noterëve dhe gjyqtarëve t’u mundësohej qasje direkte në regjistrat e ARC-së.

BIRN kishte rekomanduar që të hyjë në funksion baza elektronike e të dhënave me ç ‘rast dëshmia mbi vdekjen dhe përcaktimi i trashëgimtarëve në fillim të procesit të ndarjes së trashëgimit të mos varet nga deklaratat (që potencialisht mund të rezultojnë të rrejshme) të iniciuesve të procedurave, por të jenë automatike e me mundësi ndryshimi gjatë procesit apo në fund të tij në rast të nevojës.

Nevoja për qasje në këta regjistra erdhi pasi që noterët dhe gjykatësit kishin treguar se gjatë përpilimit të aktvdekjes meshkujt tentojnë t’i fshehin gratë si trashëgimtare në mënyrë që atyre t’u jepet e drejta automatike në trashëgimi.

Të dhënat e siguruara kanë treguar se ky veprim edhe pse është kundërligjor dhe i sanksionuar me Kodin Penal vazhdon të jetë prezent.

Por ndonëse pas nënshkrimit të marrëveshjes për shkëmbimin e të dhënave në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Odës së Noterëve të Kosovës edhe pas më shumë se tre viteve që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje noterët thonë se nuk po u mundësohet qasja në këto të dhëna.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se kërkesa e Odës së Noterëve ka qenë dhe mbetet që gjenerimi i të dhënave nga ky regjistër elektronik të mundësohet vetëm përmes numrit personal të palës, por JO edhe sipas numrit serik të certifikatës nga gjendja civile siç kërkohet nga ARC, sepse identifikimi i palëve nga noteri bëhet përmes letërnjoftimit dhe numri i letërnjoftimit është element i mjaftueshëm për t’i gjeneruar këto të dhëna”, kanë thënë për KALLXO.com Oda e Noterëve të Kosovës.

Ata kanë treguar se si pasojë e kërkesës shtesë që identifikimi i palëve të bëhet edhe përmes certifikatës së gjendjes civile, sot e kësaj dite noterëve po u bëhet e pamundur që të kenë qasje në këtë aplikacion për gjenerimin e të dhënave.

“Kërkesa shtesë, ajo e numrit serik të certifikatës së gjendjes civile ka ndikuar që ky aplikacion të mbetet i parealizueshëm deri me sot”, kanë deklaruar për KALLXO.com Oda e Noterëve.

Tutje ata kanë shtuar se lidhur me këtë problem është i informuar ministri dhe se vetë ai u ka premtuar se shumë shpejtë do të ndërhyjnë për të bërë ndryshimet e nevojshme në aplikacion në mënyrë që noterëve më në fund tu ofrohet qasje e drejtpërdrejtë në regjistrat civil të palëve.

“Nga takimet e fundit me Ministrinë e Punëve të Brendshme, përfshirë edhe takimin me z. Ekrem Mustafa, Ministër në largim, kemi marrë premtime se shumë shpejtë ky aplikacion do të ndryshohet, ashtu që gjenerimi i të dhënave nga sistemi digjital i ARC-së të mundësohet vetëm përmes numrit personal të palës dhe të jetë funksional për zyrat noteriale”, thuhet më tej në përgjigjen e pranuar nga Oda e Noterëve të Kosovës.

Ata deklaruan se deri në ndryshimin e këtij aplikacioni noterët po mbeten pa qasje në këtë regjistër.

Ligji për Noterinë, më saktësisht Neni 2 përcakton qasjen e noterit në bazat e të dhënave elektronike të organeve publike.

Sipas po këtij neni, noteri si zyrtar publik me qëllim të sigurimit të shërbimeve noteriale ka të drejtë që të ketë qasje në të gjitha regjistrat elektronik të organeve publike.

Ky ligj më tej parasheh se organi shtetëror kompetent sipas kërkesës së Odës së Noterëve të Kosovës është i obliguar që në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e parashtrimit të kërkesës të krijojnë qasje elektronike të gjitha zyrave noteriale, si dhe shpenzimet në lidhje me krijimin e qasjes në të dhënat elektronike publike mbulohen nga Oda.

Po ashtu noterët kanë deklaruar për KALLXO.com se përpos në regjistrat civil atyre nuk po u mundësohet qasje as në regjistrat kadastral e si pasojë e kësaj ata thonë se po imponohet rrezik në ekzekutimin e kontratave të transaksioneve.

Sipas tyre ndonëse tash e një vit me anë të Ligjit për Noterinë, noterëve me ligj u është mundësuar qasja në këto të dhëna deri më tani shteti nuk ka bërë asgjë për ta evituar këtë problem e që deri në ndryshimin e këtij aplikacioni noterët po mbeten pa qasje në këta regjistra.

Lidhur me shqetësimet e noterëve ne kemi kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme të cilët i kemi pyetur lidhur me këtë problem për të cilin noterët kanë ngritur alarm.

Sipas përgjigjes së pranuar nga Ministria e Punëve të Brendshme thuhet se Agjencia e Regjistrit Civil përmes një aplikacioni u ka mundësuar noterëve qasje elektronike në të dhënat e qytetarëve.

“Agjencia e Regjistrimit Civil e ka krijuar një API (ueb shërbim), ku përmes se cilës Noterët mund t’i thirrin të dhënat e qytetarëve në mënyre elektronike”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga MPB-ja.

Ata më tej kanë shtuar se ky është një sistem i centralizuar nëpër të gjitha komunat e Kosovës të cilin mund ta përdorin të gjithë noterët.

“Sistemi Elektronik i Gjendjes Civile është sistem i centralizuar, të cilin e shfrytëzojnë të gjitha komunat e Kosovës dhe i cili sistem administrohet nga Agjencia e Regjistrimit Civil. Noterët përmes API të cekur në piken 1, mund t’i thirrin njëkohësisht të dhënat e të gjitha komunave përmes Numrit Personal dhe parametrave tjerë kërkues”, thuhet tutje në përgjigjen e ministrisë.

Madje ata për KALLXO.com thanë se ky aplikacion është funksional dhe se noterët në çdo kohë mund t’i qasjen për të siguruar të dhënat elektronike të gjendjes civile të qytetarëve të Kosovës.

“API apo ueb shërbimi gjatë gjithë kohës është funksional dhe përmes tij Noterët mund t’i thirrin të dhënat në kohë reale nga sistemi i centralizuar i Gjendjes Civile”, thuhet në këtë përgjigje.

Me qëllim të sqarimit të mëtejmë të këtij rasti ne kemi dërguar pyetje shtesë në Ministri duke kërkuar nga zyrtarët e Ministrisë që të na informojnë nëse është i saktë informacion se për gjenerimin të dhënave të qytetarëve përpos numrit personal si kërkesë shtesë noterëve po u duhet edhe numri serik i certifikatës së gjendjes civile, e që si pasojë e kësaj kërkese shtesë noterët po deklarojnë se po u pamundësohet qasja në të dhënat e gjendjes civile të qytetarëve, por lidhur kërkesën për sqarim shtesë deri më tani nuk kemi pranuar përgjigje nga ana e Ministrisë.

Ndërsa noterët edhe më tej po deklarojnë se përkundër që për më tepër se tre vite ekziston një marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave në mes të Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Odës së Noterëve të Republikës së Kosovës e që edhe përkundër faktit se me Ligjin për Noterinë, noterëve u garantohet qasje në të gjitha regjistrat elektronik të organeve publike, prapë se prapë atyre po u pamundësohet qasja në regjistrat civil të të dhënave të qytetarëve