Një vit burgim për vrasje në tentativë

Gjykata në Mitrovicë e ka dënuar të pandehurin Qamil Osaj me një vit burgim nën akuzën e kryerjes së veprës penale të vrasjes në tentativë.

Osaj akuzohej nga Prokuroria se në mars të viti 2012 në fshatin Klinë e Epërme Skenderaj, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes para dyerve të shtëpisë të të pandehurit pas një konflikti verbal në mes të pandehurit Qamil dhe të pandehurit Brahi Azizi (ndaj tij është vjetërsuar lënda), por kjo vepër kishte mbetur në tentativë.

Sipas akuzës i pandehuri Qamil Osaj i kishte thënë të pandehurit Azizi  se “pse më re pram me shafciger“, kurse ky i fundit duke iu kërcenuar i ishte kthyer me fjalët “se ka me të mbyt krejt“ dhe e godet me grusht në fytyrë.

I akuzuari Osaj kishte nxjerr thikën nga xhepi i brendshëm i jakës dhe e godet në dorën e majtë mbi bërryl dhe dy herë në shpinë dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.

Paraprakisht me rastin e mbajtje së shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Mitrovicës, i pandehuri Qamil Osaj e ka pranuar fajësinë për këtë vepër.

Ndërsa pas pëlqimit të prokurorit Najzi Rexha, të dëmtuarit dhe mbështetjes së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Zeqir Maxhuni, trupi gjykues në përberje me Beqir Halili kryetar, Florije Syla dhe Izet Gërguri anëtar ka aprovuar pranimin e fajësisë.

Avokati i të pandehurit ka kërkuar nga gjykata që me rastin e matjes së dënimit gjykata të aplikoj insitucionin e jashtëzakonshem për zbutjen e dënimit dhe të ketë të gjitha rrethanat lehtësuese parasysh, për shkak se i pandehuri sipas tij kishte probleme shëndetësore (njërën këmbë të ampotuar), ashtu që përherë i duhet përcjellja dhe ndihma e huaj, ndërsa është shprehur i bindur se edhe me një dënim të kushtëzuar do të arrihet qëllimi i plotë i politikës ndëshkuese.

Shpalljen fajtor të të pandehurit e ka kërkuar edhe prokurori Njazi Rexha, ndërsa i ka propozuar  gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor për veprën e kryer penale, e me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit ti ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese të parapara me ligji. Veçanërisht si rrethanë lehtësuese të ketë parasysh pranimin e fajësisë dhe pajtimin me të dëmtuarin.

Andaj trupi gjykues më rastin e shpalljes së aktgjykimit të pandehurin Osaj e ka dënuar me një vit burg, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtepiak.

Të akuzuarit i konfiskohet thika, kurse nga gjykata është detyruar të paguaj 50 euro paushall gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit për viktimat.