Prapa grilave - Ilustrim

Një muaj paraburgim për vrasjen e djalit të dajës

Gjykata e Prishtinës, sot caktoi paraburgimin në kohëzgjatje prej një muaji  ndaj B. R., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje dhe ndaj B. R. për veprën penale pjesëmarrje në rrahje.

Sipas vendimit të Gjykatës, me datën 07.09.2019, rreth orës 15 në parkingun e Komunës së Lipjani, për shkak të një kontesti pronësor i dyshuari B. R. ka privuar nga jeta të ndjerin F. K.  me të cilin ka qenë në lidhje familjare respektivisht djali i dajës.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se i ndjeri F. K. ka penguar punëtorin M. R., të hedhë një kolicë me mbeturina në pronën kontestuese.

Pastaj dëshmitari M. R., këtë ngjarje ia ka treguar të pandehurve  të cilët menjëherë janë takuar me të ndjerin F. K., ku ka filluar rrahja mes tyre, derisa i ndjeri F. K. mbante në dorë një shufër metalike i dyshuari i parë B. R.  mbante në dorë thikën, ndërsa i dyshuari i dytë me grushte ka sulmuar të ndjerin.

Në rrahje e sipër tani i ndjeri me shufrën metalike e ka goditur në kokë të dyshuarin e parë B. R., i cili në të njëjtën kohë e godet të ndjerin F. K. me thikë në anën e majtë të abdomenit, dhe nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë në QKUK.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi për këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për zhvillimin e procedurës hetimore pa pengesa si dhe për parandalimin e përsëritjes së veprave penale.