Prapa grilave - Ilustrim

Një muaj paraburgim për vrasje në tentativë

 

Gjykata e Mitrovicës ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit B. H. për tri vepra penale, tentim vrasje, armë mbajtje pa leje dhe përdorim i armës.

Një qytetar nga Mitrovica kishte raportuar se persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri nga një veturë në lëvizje. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur të shtunën rreth orës 01:35.

Gjatë kërkimit, policia ka hasur në dy persona të dyshuar dhe njëri prej tyre ka ikur, ndërsa është arrestuar i dyshuari tjetër.

Në seancën e mbajtur gjatë vikendin në Gjykatën e Mitrovicë, gjyqtari Ali Kutllovci të pandehurit B. H. i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

Ndërsa i pandehuri përveç që është deklaruar në gjykatë se ka pasur një konflikt të mëhershëm me personat ndaj të cilëve kishte gjuajtur me armë nuk ka dhënë detaje tjera.

Kurse prokurori i rastit Ismet Ujkani i kontaktuar nga Kallxo.com nuk ka dashur të deklarohet për rastin.

Avokatja e të pandehurit, Zehra Vërbovci po ashtu ka konfirmuar se të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa ka thënë se sot ka bërë edhe ankesë lidhur me vendimin e gjykatës.

Pas arrestimit të njërit prej të dyshuarve është gjetur vetura e dyshuar e mbyllur dhe është vërejtur që brenda në veturë është një armë zjarri (pistoletë) dhe dy maska.