Një muaj paraburgim për të dyshuarin se dhunoi vajzën në barakë

S.M, i dyshuar për dhunë seksuale ndaj një vajze do të qëndrojë në paraburgim për një muaj.

S.M., dyshohet të ketë kryer marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së dëmtuarës A.M.

Pas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, gjykata vendosi që të njëjtin ta lërë prapa grilave deri me datën 20 mars 2020.

I pandehuri S.M, po dyshohet se edhe pse kishte qenë në dijeni se e dëmtuara A.M, është me aftësi të kufizuara mendore, i njëjti e kishte shfrytëzuar situatën duke qëndruar tre net radhazi me të dëmtuarën në të njëjtën barakë, për të kryer akt seksual me të.

Gjykatësi i procedurës paraprake Shaqir Zika, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke përjashtuar masat tjera alternative si të pamjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

Kundër kësaj mase të paraburgimit, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.