Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Një muaj paraburgim për serbin e dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për serbin i cili dyshohet se ka kryer veprën penale, krime lufte kundër popullatës civile.

Gjykata ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.A për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas Gjykatës, krimet e luftës penalizohen në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve ndërkombëtare që zbatohen në konfliktin e armatosur dhe veprën penale krime lufte në shkelje të rëndë të konventave të Gjenevës lidhur me Kodit Penal të Kosovës.

Gjykata pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.A është e bazuar.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

“I pandehuri N.A është shtetas edhe i Serbisë dhe ka vendbanim jashtë Kosovës, respektivisht në qytetin e Nishit në Serbi dhe ekziston rreziku real se i njëjti mund apo do t’i shmanget ndjekjes penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Më herët gjatë ditës, KALLXO.com kishte raportuar se është arrestuar një person i komunitetit serb me dyshimet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai është arrestuar për krimet që kanë ndodhur në këtë lagje më 21 maj 1999.

Arrestohet një person për krime lufte kundër popullatës civile